
kNjëri nga politikanët që për kohë të gjatë ishte gati çdo ditë prezent me paraqitje publike për shkak të pozitave me rëndësi të mbante në institucionet publike, ka kohë që nuk paraqitet askund. Ai heshtur është larguar nga skena publike prej se qeverisjen e vendit e mori koalicioni PAN. Por, ky person që është profesor universitar, duke se është kujdesur mirë që familjarët e tij të vazhdojnë punën në institucionet që dikur i drejtonte.
Bëhet fjalë për nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajredin Kuqin, i cili edhe pse vetë ka hequr dorë nga postet drejtuese, janë familjarët e tij që duket se e kanë zëvendësuar në punën e shtetit.
Pra, nuk janë vetëm personat që aktualisht po qeverisin me vendin të përfshirë në dukurinë e nepotizmit. Në vazhdën e punësimeve familjare bënë pjesë edhe familja e Hajredin Kuqit, i cili mbante pozitën e zëvendëskryeministrit në Qeveri sa drejtohej nga Hashim Thaçi e më vonë edhe Isa Mustafa.
Agjencia e Lajmeve FaktePlus merr vesh se muaj më parë Hajredin Kuqit i janë punësuar tre familjarë në institucione të ndryshme publike.
Është Kushtrim Cukaj i cili në shtator të vitit të kaluar është emëruar si sekretar në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, ministri kjo që aktualisht drejtohet nga Dhurata Hoxha e PDK-së.

Cukaj siç ka kuptuar FaktePlus nga burimet e veta është burri i motrës së Hajradin Kuqit.
Ai kohë më parë ka punuar si menaxher i Postës për regjionin e Pejës, pastaj si ligjërues në Universitetin e Ferizajt, si dhe në OSBE e KFOR.
Por, rehatimi në institucionet e Kosovës nuk është ndalur me kaq për familjarët e Hajradin Kuqit.
Motra e Kuqit, Filloreta Kuqi, është punësuar në Ministrinë e Kulturës. Ajo në këtë ministri është emëruar zyrtare për Promovim të Edukimit jo-formal.
Po ashtu, Hajredin Kuqit i është punësuar edhe vajza e vëllait të tij. Mbesa e tij është e punësuar në Ministrinë e Integrimeve Evropiane.
Kujtojmë se Hajredin Kuqi për kohë të gjatë ka mbajtur poste më rëndësi në institucione. Ai ka qenë ministër i Drejtësisë dhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi, mandej edhe nga Isa Mustafa.
Ndryshe Qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj është kritikuar ashpër ditët e fundit për punësimet masive të familjare të politikanëve që po bëhen në institucionet publike. Gati çdo ditë raportohet se zyrtarët e lartë shtetërorë, po punësojnë të afërmit e tyre nëpër vendet ku edhe pagat janë mjaft të larta.