Kombëtarja e Uruguait ka fituar me rezultat 3-0 ndaj nikoqirëve të Rusisë në ndeshjen e tretë të vlefshme për Kupën e Botës “Rusia 2018”.
Uruguai ka përfunduar grupin A me nëntë pikë, pasi ka mposhtur edhe Rusinë, pas Egjiptit dhe Arabisë Saudite, duke u kualifikuar me vend të parë në këtë grup.
Se kombëtarja ameriko-latine ishin hyrë për ta fituar ndeshjen e tregoi edhe goli i hershëm nga Luis Suarez, i cili shënoi në minutën e 10-të një gol të bukur nga goditja e dënimit për 1-0.
Në minutën e 23-të erdhi edhe goli i 2-0 për Uruguain, pasi pas një goditje të fortë nga distanca të Diego Laxakt, ishte Denis Cheryshev, i cili devijoi topin që përfundoi në rrjetë.
Kur pritej që nikoqirët të kthehen në lojë ata u penalizuan pasi mbrojtësi i tyre Igor Smolnikov u ndëshkua në minutën e 36-të me kartonin e kuq, pas dy të verdhëve, duke i lënë të tijët me 10-lojtarë.
Në pjesën e dytë, uruguaianët arritën të menaxhonin mirë lojën duke krijuar kohë pas kohë raste për gol, ndërsa Rusia provonte të befasonte me ndonjë kundërsulm.
Megjithatë, edhe përkundër mundësive nga të dyja kombëtareve, ishin vetëm Uruguai që gjeti golin e tretë me anë të Edinson Cavanit (90′), i cili me golin e tij nga afërsia vulosi rezultatin përfundimtar 3-0.
Pas kësaj fitore, Uruguai kualifikohet nga Grupi A me vendin e parë, me nëntë pikë, ndërsa Rusia si e dyta me gjashtë pikë, duke lënë pas vete Egjiptin dhe Arabinë Saudite. /Telegrafi/