![E djathta ekstreme evropiane si rrezik për Kosovën](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2025/02/IMG_0375.jpeg)
Austri, Francë, Britani e Madhe, Gjermani: në shumë vende të kontinentit e djathta ekstreme është duke e rritur ndikimin dhe fituar përkrahje elektorale. Ky është lajm i keq për Kosovën, por edhe për komunitetet shqiptare në Perëndim
Në shumë vende të Evropës është në rritje fuqia politike e së djathtës ekstreme, e cila shpesh ka qëndrim negativ ndaj pavarësisë së Kosovës dhe jo rrallë e etiketon Kosovën si “shtet mysliman”. Ndërkohë e djathta tradicionale konservatore është në krizë. Republikanët francezë në zgjedhjet e fundit fituan vetëm 7 për qind të votave. Kjo është partia e ish-presidentit francez Nicolas Sarkozy, i dënuar me 3 vjet burg për ryshfet dhe ushtrim të paligjshëm ndikimi. Marine Le Pen, liderja e së djathtës ekstreme në Francë, ka gjasa reale që më 2027 të zgjidhet presidente. Eric Zemmour, një ekstremist tjetër i djathtë francez, në librin e tij “Franca ende nuk e ka thënë fjalën e fundit”, e përmend Kosovën në kontekst të gjoja planit të madh për zëvendësimin e popullsive vendase me ardhacakë, në këtë rast zëvendësimin e evropianëve të bardhë me myslimanë dhe njerëz me ngjyrë.
Në pamfletin e tij Zemmour kur shkruan për Kosovën, fjalët shtet dhe pavarësi i fut në thonjëza. Në Britaninë e Madhe konservatorët kanë humbur pushtetin, ndërsa partia populliste e djathtë Reform UK, e udhëhequr Nigel Farage, sipas një ankete të rëndësishme ka dalë për herë të parë si forca më e madhe. 25 për qind e të anketuarve thanë në sondazhin e YouGov, të porositur nga kanali informativ Sky News, se do të votonin për Reform UK nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin nesër.
Ndërkohë, vetëm 24 për qind do të votonin për Partinë Laburiste (socialdemokrate) të kryeministrit Keir Starmer. Konservatorët u renditën në vendin e tretë me 21 për qind. Farage ka akuzuar Perëndimin se paskësh provokuar luftën në Ukrainë, ka akuzuar në mënyrë paushalle shtetasit e Shqipërisë për krime në Britaninë e Madhe dhe një koleg i partisë së tij me emrin John Kennedy është zbuluar se ka ndihmuar në përhapjen e lajmeve të rreme në favor të ish-liderit politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiqit, i dënuar për gjenocid ndaj popullsisë boshnjake në Srebrenicë. Kennedy për një kohë u mbikëqyr nga shërbimet e sigurisë për shkak të bashkëpunimit të tij të ngushtë me Radovan Karaxhiqin. Në Austri partia popullore konservatore ÖVP doli e dyta në zgjedhjet parlamentare dhe vendosur të fillojë negociata për të lidhur koalicion me partinë e ekstremit të djathtë FPÖ. Kjo parti fitoi më së shumti vota në zgjedhje. Kandidati i saj për kancelar Herbert Kickl është mandatuar nga presidenti austriak për krijimin e qeverisë së re. Menjëherë pas mandatimit, Kickl mori një urim nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq. Ai e uroi kryetarin e FPÖ-së për “detyrën e ndershme”, foli për respekt dhe besim të ndërsjellë, dhe i ofroi bashkëpunim të ngushtë. Me Kickl si kancelar federal, Vuçiq pritet të ketë një tjetër përkrahës në Bruksel – përveç hungarezit Viktor Orban dhe sllovakut Robert Fico. Të dy konsiderohen si njerëz të Vlladimir Putinit në kryeqendrën e BE-së.
FPÖ kërkon që nga vendet e Ballkanit vetëm Serbia të pranohet në BE, eksponentë të kësaj partie kanë kundërshtuar heqjen e vizave ndaj shtetasve të Kosovës dhe në nivel lokal kanë dorëzuar një kërkesë për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga Austria. Mediet pro-qeveritare në Beograd parashikojnë se qeveria e re në Vjenë, nën udhëheqjen e Herbert Kickl, mund të tërheqë njohjen e Kosovës. Herbert Kickl e konsideron lëvizjen ekstremiste të djathtë “Identitäre Bewegung” (Lëvitzja identitare) si një “projekt interesant dhe të denjë për mbështetje”, një lloj “OJQ-je nga e djathta”.
Gjatë një feste të organizuar nga anëtarët e kësaj lëvizjeje në Vjenë, verën e kaluar, Holokausti u përshkrua si “i mrekullueshëm” dhe u kërkua një “Srebrenicë 2.0”. Në qytetin e vogël të Srebrenicës në Bosnjën lindore, ushtria serbo-boshnjake vrau rreth 8000 burra myslimanë në vitin 1995. Ky krim masiv u klasifikua nga drejtësia e OKB-së si gjenocid. Në Gjermani prej vitesh është në rritje përkrahja për partinë AfD (Alternativa për Gjermaninë), e cila nga drejtësia gjermane pjesërisht është kualifikuar si e djathtë ekstremiste. Eksponentë të kësaj partie flasin për Kosovën si “konstrukt të dështuar” dhe mbajnë lidhje me qarqe ekstremiste në Serbi, të cilat janë të afërta me Rusinë. Ndonëse AfD nuk ka gjasa të vijë në pushtet pas zgjedhjeve për Bundestag më 23 shkurt, por ekziston rreziku që ajo të vazhdojë të jetë partia e dytë më e madhe në Gjermani (aktualisht me 22 për qind përkrahje). Para AfD-së gjenden konservatorët e CDU-së, pas AfD-së socialdemokratët e kancelarit Olaf Scholz.
Forcimi i të djathtës kudo në Evropën perëndimore është lajm i keq edhe për komunitetet shqiptare në Perëndim. Do të rritet racizmi, por edhe goditjet ndaj sistemit social.