
Për bastisjet e sotme në Ministrinë e Bujqësisë, Prokurori i rastit, Admir Shala ka thënë se hetimet po zhvillohen për dhënien me qera të fabrikës për përpunimin e mbetjeve shtazore, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Para gazetarëve, Prokurori Shala bëri të ditur se përveç në Ministrinë e Bujqësisë, bastisje janë zhvilluar edhe në AUV, tek kompania përfituese si dhe AZHB.
“Siç e dini Prokuroria Speciale ka filluar një hetim lidhur me dhënien në shfrytëzim të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore. Hetimi është duke zhvilluar për dhënien me qera të kësaj fabrike. Janë duke u bastisur, Ministria e Bujqësisë, Agjenca për Zhvillim Bujqësor, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, dhe lokacioni i kompanisë përfituese të kontratës”, tha prokurori para gazetarëve.
Ai shtoi se s’mund të japë detaje të tjera duke qenë se janë në fazën e hetimit.
Nga Ministria e Bujqësisë kanë thënë se janë të gatshëm të ofrojnë çdo informatë për çdo interesim që mund të ketë.
“Që nga dita e parë, jemi në dispozicion të organeve të rendit dhe drejtësisë, duke ofruar çdo informatë për secilin interesim të tyrin, duke theksuar rëndësinë e sundimit të ligjit. Kemi bashkëpunuar ngushtë me këto institucione dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë, të udhëhequr nga parimet e transparencës dhe llogaridhënies”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Bujqësisë.