
Të paktën dy persona kanë humbur jetën pasi një makinë është përplasur me një grup këmbësorësh në qytetin perëndimor gjerman të Mannheimit – ndërsa policia ka nisur një operacion të madh.
Sipas policisë gjermane, disa persona janë “plagosur rëndë” pasi një automjet i zi është futur me shpejtësi mes turmës. Një dëshmitar i ka thënë Reuters se ka parë njerëz të shtrirë në tokë dhe dy persona që me anë të ndihmës së shpejtë po përpiqeshin t’i kthenin në jetë.
Shoferi është një 40-vjeçar nga shteti fqinj i Rhineland-Pfalz, ka deklaruar ministri i Brendshëm i shtetit, Thomas Strobl, për mediat lokale. Sipas policisë, ai është arrestuar menjëherë.
Zëdhënësi i policisë, Stefan Wilhelm, tha se ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 12:15 me orën lokale, në një zonë të dedikuar për këmbësorët, pranë Paradeplatz në Mannheim.
“Ne mund të konfirmojmë se një autor është arrestuar,” tha ai. “Nuk mund të japim ende informacion nëse ka pasur autorë të tjerë”.
Një zëdhënës i ministrisë së brendshme gjermane shtoi: “Fokusi është tani në shpëtimin e jetëve, trajtimin e të plagosurve dhe hetimet fillestare nga autoritetet në Mannheim”.
Policia e armatosur dhe hetuesit mjeko-ligjorë u panë duke ekzaminuar një automjet të zi me xhama të thyer pranë urës së Rhine të qytetit.