970×90
970×90

Dy specialistë krizash nga rrethi më i ngushtë i Scholz-it dhe Macron-it: Kush janë Plettner dhe Beaune që do të merren me Kosovën?

Dy specialistë krizash nga rrethi më i ngushtë i Scholz-it dhe Macron-it: Kush janë Plettner dhe Beaune që do të merren me Kosovën?

Presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kancelari federal gjerman, Olaf Scholz, i dërguan letër kryeministrit kosovar, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, ku thanë se ngarkuan në detyrë këshilltarët e tyre për politika të jashtme dhe siguri, për t’i dhënë mbështetje emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçakut.

“Prandaj, caktuam këshilltarët tonë për politikë të jashtme dhe siguri, Jens Plettner dhe Emanuel Beaune, për t’i dhënë mbështetje direkte Miroslav Lajçakut në përpjekjet e tij. Sugjerojmë se këshiltarët tonë, së bashku me Miroslav Lajçakun, të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, në mënyrë që të shohin mundësitë që procesi të shkojë para. Shpresojmë se kjo iniciativë do të gjejë interesimin dhe mbështetjen e juaj”, shkruhej në letrën e përbashkët.

Kjo letër, vjen në një kohë mjaftë të stuhishme në marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës, kur aktiviteti diplomatik i aktorëve ndërkombëtar gjithashtu është intensifikuar. Tani liderët e dy shteteve më të fuqishme në Evropë po përmendin përfshirjen e shoqëruesve më të afërt të tyre në politikat e jashtme. Këta janë diplomatë me përvojë të madhe për shumë e vite e në pozita të ndryshme, shkruan Euronews në gjuhën serbe, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Këshilltar për Politikë të Jashtme dhe Siguri i Kancelarit Gjerman – Jens Plettner

Jens Plettner, diplomat gjerman i karrierës, me përvojë të gjerë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, u bë këshilltari kryesor për politikën e jashtme dhe të sigurisë kur Olaf Scholz mori postin e kancelarit gjerman.

Plettner ka lindur në vitin 1967, ka studiuar drejtësi në Hamburg, Bordeaux dhe Paris. Nga viti 2008 deri në vitin 2009 ka qenë zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe më pas ka filluar karrierën si ambasador gjerman. Deri në vitin 2012, ishte ambasador në Sri Lanka, pastaj nga viti 2012 deri në 2013 në Tunizi.

Më pas, që është shumë domethënëse për karrierën dhe pozicionin e tij aktual, nga viti 2014 deri në vitin 2017 ka qenë shef i kabinetit të ministrit të Jashtëm Frank Walter Steinmeier, presidentit aktual gjerman. Më pas, nga viti 2017 deri në vitin 2019 ka qenë ambasador i Gjermanisë në Athinë.

Në prill 2019, ai u emërua drejtor politik i Ministrisë së Jashtme dhe u bë një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Ministrit të Punëve të Jashtme, Heik Maas. Nga viti 2021, pas zgjedhjeve, ai u bë këshilltari kryesor i kancelares gjermane për politikën e jashtme dhe të sigurisë.

Augsburger Algemeine deklaroi pasi u emërua në këtë detyrë, se Plattner njeh Izraelin, Kombet e Bashkuara, si dhe vendet në të cilat ishte ambasador dhe shtoi se si drejtor politik i Ministrisë së Punëve të Jashtme ka qenë në krye të detyrave shumë të rëndësishme, koordinimi me Kinën, mosmarrëveshjet për Vladimir Putin, Nord Stream 2.

Siç thuhet në këtë faqe, pozicioni i tij në sistemin burokratik gjerman quhet edhe AL2 dhe për shkak të roleve të tij të mëparshme, Plettner parashikohet të ketë më shumë ndikim se ministrja aktuale e Punëve të Jashtme, Analene Berbock.

Po ashtu, sipas shkrimit, pozicioni i Platnerit përfaqëson atë që reagon i pari kur bëhet fjalë për çështjet diplomatike dhe se bazuar në karrierën dhe përvojën e Platnerit, ishte përgatitur për këtë rol prej vitesh.

Përkatësisht, në lidhje me situatën aktuale në Ukrainë, theksohet se Plettner ishte aty në shkurt të vitit 2014, kur demonstruesit në Maidan të Kievit përmbysën presidentin prorus Viktor Janukoviç dhe në emër të shefit të tij, në atë kohë ministër i Punëve të Jashtme, Steimer, ai hartoi një projekt-kontratë që supozohej t’i ofronte presidentit ukrainas një zgjidhje për krizën.

Këshilltar për diplomacinë e presidentit francez – Emmanuel Beaune

Emanuel Beaune, i cili ka qenë këshilltar për diplomacinë e presidentit francez Emmanuel Macron që nga viti 2019, është gjithashtu një diplomat me përvojë. Që nga viti 2004, ai është vlerësuar me Medaljen e Nderit për Punët e Jashtme.

Ai është diplomuar në Institutin për Studime Politike në Grenoble dhe ka një diplomë në studime të avancuara në shkenca politike krahasuese. Ai është ekspert për Lindjen e Mesme.

Pasi punoi si studiues në CERMOC në Bejrut, ai u pranua në konkurs si këshilltar për punët e jashtme në Ekzekutivin Lindor në mars 2000.

Gjithashtu, nga viti 2000 deri në vitin 2003, ai ishte redaktor në administratën qendrore, në Departamentin për Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme. Më pas, nga viti 2003 deri në vitin 2006, ai ishte këshilltari i dytë në Iran, dhe më pas deri në vitin 2009, këshilltari i parë në Riad të Arabisë Saudite.

Nga viti 2009 deri në vitin 2012 ka qenë këshilltari i dytë i Misionit të Përhershëm të Francës në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, ndërsa deri në vitin 2015 ka qenë këshilltar për Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme në njësinë diplomatike të Presidencës së Republikës.

Beanue më pas u bë ambasador i Francës në Liban, ku ishte nga viti 2015 deri në vitin 2017.

Deri në ardhjen e tij për momentin, nga viti 2017 deri në vitin 2019 ka qenë shef i kabinetit të Ministrisë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Gjithashtu, Emanuel Beaune është përfaqësuesi personal i presidentit francez që përgatit samite të rëndësishme ndërkombëtare, G7 dhe G20. Këta përfaqësues zhvillojnë takime ndërmjet samiteve që më vonë duhet të lehtësojnë negociatat e krerëve të shteteve në samitin final.

Related posts