
Dy gra kanë akuzuar aktorin e Sex And The City, Chris Noth, se i ka sulmuar seksualisht në 2004-ën dhe 2015-ën.
Gratë dhanë detaje për sulmet e supozuara për The Hollywood Reporter, të botuara duke përdorur pseudonimet Zoe dhe Lily.
Revista thotë se gratë nuk e njohin njëra-tjetrën.
Në një deklaratë, Noth, tha se “lidhjet ishin konsensuale” dhe se akuzat për sulm janë “kategorikisht të rreme”.
Asnjë hetim
Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit tha se aktualisht nuk ka një hetim mbi akuzat e bëra kundër aktorit.
Zoe, tani 40 vjeç, thotë se ishte 22 vjeç kur aktori dyshohet se e përdhunoi në një apartament në West Hollywood në 2004-ën.
Lily, tani 31 vjeç, thotë se ajo u përdhunua në apartamentin e tij në Greenwich Village në Nju Jork në vitin 2015, kur ajo ishte 25 dhe ai 60.
Chris Noth është i njohur për rolet e tij të aktrimit në Law & Order dhe Sex And The City, në të cilat ai luajti një personazh kryesor, Mr Big. Së fundmi është publikuar një vazhdim i serialit jashtëzakonisht të njohur, i titulluar And Just Like That….
Në një deklaratë të aktorit për The Hollywood Reporter dhe Rolling Stone thuhet: “Akuzat kundër meje të bëra nga individë që kam takuar vite, madje edhe dekada më parë, janë kategorikisht të rreme.
“Është e vështirë të mos vihet në dyshim koha e daljes së këtyre historive. Nuk e di me siguri pse po shfaqen tani, por di këtë që: nuk i kam sulmuar këto gra.”
Sipas The Hollywood Reporter, Lily, tani një gazetare, kontaktoi revistën në gusht dhe Zoe, e cila punon në industrinë e argëtimit, kontaktoi në tetor, pasi zhurma për publikimin e And Just Like That po merrte vrull.