Avokati Arianit Koci, i cili është i autorizuar për të ndërmjetësuar që trupi i Faton Hajrizit të kthehet në Kosovë, ka treguar se çfarë ka përjetuar derisa ka qëndruar në Loznicë të Serbisë, ku pretendohet se është vrarë Hajrizi.
Ai thotë se gjatë kohës kur ishte në Serbi, i kishte ardhur një mesazh në telefon ku i thuhej se Faton Hajrizi ishte gjallë.
“Zotëri Koci dëgjoni mirë mos bëni manipulime, unë punoj në spital në Beograd, dhe kam informacionin që personi që po thonë se është Fatoni, nuk është Fatoni”, tha avokati se shkruante në mesazhin që kishte pranuar.
Ai tha se këtë e ka raportuar “aty ku duhet”.
Tutje Koci thotë se në mesazh i ishte thënë se “Sot ke qenë në spital, unë kam qenë afër jush, ti duhet të dalësh e të thuash se Fatoni është gjallë”.
“Sipas ligjit jeni përfaqësues i familjes Hajrizi, dhe nuk munden me ia ndalë me hapë kufomën, dhe po thotë nëse ti nuk del me thënë unë do të dalë në media edhe të Kosovës dhe Serbisë”, tregoi Koci tekstin e mesazhit që ka marr në Rubikon të Klan Kosova.
Avokati tha se këtë mesazh thjesht e injoroi dhe nuk e mori seriozisht.
Kci është shprehur se do të gjejë një zgjidhje për ta dërguar pështymën e nënës së Faton Hajrizit, në Serbi.
Por, është shprehur se nënën e Fatonit, nuk do ta dërgojë atje në asnjë mënyrë.
“Këto dy-tri ditë duhet të gjejë zgjidhjen si do t’ia bëjë më pështymën e nënës, pra në asnjë mënyrë, nënën e Fatonit nuk e dërgoj në Serbi, as nuk i rekomandoj të shkoj, as nuk dëshiron të shkojë ajo vet”.
“E kam krijuar një momentum të tillë që unë jam bashkëpunues dhe nuk dua t’ia lë hapësirën Serbisë të thonë “nuk e keni sjellur pështymën, hajt ditën e mirë”, jo unë pështymën do t’ua dërgoj”, është shprehur ai.