
Janë bërë një vit që kur ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ish Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli u nisën për në Hagë, si të dyshuar për krime lufte.
Ishte 5 nëntori i vitit 2020 kur figurat kryesore të luftës në Kosovë, udhëtuan për në Hagë, kujton publicisti Mixhen Kelmendi.
“U bë një vit, prejse dy nga udhëheqësit e kryengritjes së armatosur në Kosovë, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që arritën me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës të tejnë shtetin e frikës të Slobodan Milosevic’it dhe të demaskojnë “paqen miloseviciane” të instaluar në Kosovë gjatë viteve ’90, me qenë të pandehur për krime lufte!”, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook, publicisti Mixhen Kelmendi.
“Po them të pandehur e jo të akuzuar, sepse deri në këtë orë ky gjyq nuk arriti që atë aktakuzë fantome, me të cilën i burgosën, të prezantoj para gjyqit, që e quajtën “Special””.
Kelmendi vë në dyshim komplet këtë proces gjyqësor duke potencuar faktin se krerët e UCK-së aty janë “’të kidnapuar’ për arsye krejtësisht politike, dhe të larguar nga jeta politike me dyshimet se ky gjyq i është nënshtruar krejtësisht narracionit te Beogradit edhe për Thaçin e Veselin, edhe për UÇK, edhe për luftën në Kosovë”.
Të përkushtuar për drejtësi, vlerëson Kelmendi, faktin që të dy, edhe Thaçi edhe Veseli, në krye të dy institucioneve të rëndësishme, njëri në Presidencë e tjetri në Parlamenti, insistuan që kjo gjykatë të formohet.
“Kanë bërë çmos që ky gjyq të legjitimohet në formën e dy, si i quajtën, Dhoma të Posaçme të gjyqësisë kosovare, që u zhvendosën në Hagë”.
“Nuk ka qenë Drejtësia ajo që i ka trembë ata”, thotë Kelmendi, “sepse Liria e Kosovës dhe themelimi i Shtetit, ka për t’i bërë të ndihen të drejtë dhe komod jo vetëm para këtij gjyqi, por edhe para historisë”.
Ajo që e shqetëson Kelmendin është “politizimi i kësaj drejtësie dhe loja me narracione, asht ajo qe i rëndon ata”.
“Ata që patën mundësi t’i vizitojnë në burg, më thanë se po ndihen mirë, janë në formë dhe të gatshëm t’i dëgjojnë, më në fund, ato ‘aktakuza fantome’”.
“Po shpresoj që në këtë gjyq do të triumfoj drejtësia e jo politizimi i saj”, ka potencuar Kelmendi.
“Sepse, po fitoi drejtësia, edhe Thaçi edhe Veseli, me bashkëluftohet e vet atje, kanë me u kthye shpejt”, ka përfunduar shkrimin Mixhen Kelmendi.
Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi një vit në Hagë
Sot, janë bërë një vit prej kur ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish kryetari i Parlamentit Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish deputeti Rexhep Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Aktakuza ndaj Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit u konfirmua më datë 4 nëntor të vitit 2020, ndërsa një ditë pas e njëjta gjë i ndodhi edhe Kadri Veselit e Hashim Thaçit, i cili po atë ditë dha dorëheqje nga posti i presidentit.
Lajmin për konfirmimin e aktakuzës ndaj ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi e pati konfirmuar avokati i tij, pasi njësitet e EULEX-it mëngjesin e datës 4 nëntor 2020 e kanë bastisur shtëpinë e Krasniqit.
“Krejt çfarë mund të konfirmojë është që ka një bastisje… Aktakuza e cila është konfirmuar, tash duhet të transferohet zotëri Krasniqi në Hagë, besoj gjatë ditës së sotme”, ishte shprehur avokati i Krasniqit.
Ndërsa, lajmin për konfirmimin e aktakuzës për Selimin e bëri vet ish deputeti i Vetëvendosjes, ku mes tjerash pati thënë se “kam ditur e do të di gjithmonë ta mbroj lirinë e popullit, shtetin e Kosovës dhe UÇK-në e lavdishme”, ishte shprehur “10-shi” i UÇK-së.
Njëjtë si “10-shi”, lajmin për konfirmimin e aktakuzës e bëri edhe “Luli”.
Ish kreu i PDK-së, Kadri Veseli, lajmin për konfirmimin e aktakuzës e dha përmes rrjetit social “Facebook”, duke thënë se kjo është një mundësi që tu përgjigjet dyshimeve dhe thashethemeve të rrejshme që sipas tij kanë qarkulluar për vite të tëra.
“Jam i vetëdijshëm se ka njerëz në Kosovë që mendojnë se Dhomat e Specializuara janë një fyerje e luftës sonë historike për të mbrojtur popullin e Kosovës nga krimet e regjimit të Millosheviqit”.
“Por unë nuk e shoh në këtë mënyrë, Unë e shoh si një mundësi që më në fund të përgjigjem ndaj këtyre dyshimeve dhe thashethemeve të rrejshme të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra”, kishte shkruar Veseli.
Kurse, lajmin për konfirmimin e aktakuzës, komandant “Gjarpri”, e bëri përmes një konference për shtyp, ku po atë ditë, Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës.
Ai, mes tjerash tha se këto kohë nuk janë të lehta për të e familjen e tij, dhe se para gjyqit nuk do të del si president i Kosovës.
“Ju lus për maturi qetësi dhe për unitet. Të qëndrojmë të bashkuar dhe duam të ruajmë besimin. Para gjyqit nuk do ta dal si president dhe për të mbrojtur integritetin e Kosovës, unë sot jap dorëheqje nga pozita e presidentit të Kosovës. Ftoj forcat politike që mos të thellohemi në krizë kushtetuese dhe institucionale”, ishte shprehur Thaçi.