Organizata terroriste afgane ka njoftuar se janë të gatshëm të shpallin armëpushim në të gjitha rajonet e Afganistanit nëse ndodh përhapje e madhe sëmundjes. Në Afganistan deri tani janë regjistruar 196 raste të konfirmuara të COVID-19.
Talibanët kanë njoftuar vendimin e tyre pas thirrjes së djeshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që palët afgane në konflikt t’i përgjigjen me armëpushim krizës dhe t’i mundësojnë dërgimin e ndihmave në rajonet në rrezik.
Talibanët u zotuan se do të garantojnë sigurinë e punëtorëve shëndetësor dhe punëtorëve humanitar që do të vinin për ndihmë në rajonet që janë nën kontrollin e tyre.
Nga frika e përhapjes së korona virusit qeveria afgane ka mbyllur disa qytete në fillim të kësaj jave. Posaçërisht ka brengë për rreth 200 mijë afganë që rishtas janë kthyer nga Irani ku sëmundja ka goditur rëndë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes me SHBA’në, talibanët dhe qeveria afgane priten të përcaktojnë mekanizmat negociues dhe hapi i parë mbetet shkëmbimi i robërve të luftës. Sipas kësaj marrëveshje pritet lirimi i rreth 5 mijë talibanëve dhe 1 mijë trupave të qeverisë afgane.