
Ukraina është në ditën e pestë të luftës, pasi presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin ndaj vendit fqinj. Sot do të mbahet takimi mes delegacioneve të Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi, ndonëse presidenti Volodimir Zelensky nuk pret që të sjellë një zgjidhje për vendin e tij.
BE i mbylli hapësirën ajrore, rruga e gjatë që duhet të bëjnë tani avionët rusë
Linjat ajrore ruse po përdorin rrugë të tjera, për të udhëtuar nga territori i Kaliningradit drejt vendeve të detit Baltik, pasi Bashkimi Europian ka mbyllur hapësirën ajrore, si dënim pas vendimit të presidentit Vladimir Putin për të sulmuar Ukrainën.
Kaliningrad, një tokë prej 15,000 km katrorë që i përket Rusisë, ndodhet 300 km në perëndim të kontinentit dhe është vendosur midis vendeve baltike dhe anëtarëve të BE-së, Lituanisë dhe Polonisë.
Në vend që të fluturojnë drejtpërsëdrejti mbi Letoni dhe Lituani, aeroplanët rusë tani janë të detyruar të fluturojnë në veri drejt Shën Petërsburgut, pastaj rreth bregut të Baltikut.
Kanadaja është bërë vendi i fundit, së bashku me vendet e BE-së dhe Britaninë, që ndalon avionët rusë nga hapësira e saj ajrore. Një ditë më parë dhe ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka njoftoi mbylljen e kufijve për avionët rusë.
Ukraina do të kërkojë armëpushim dhe tërheqje të trupave
Ukraina do të kërkojë armëpushim dhe tërheqje të trupave ruse në takimin me delegacionin rus në Bjellorusi.
“Delegacioni ukrainas mbërriti në kufirin Ukrainë-Bjellorusi për të marrë pjesë në bisedimet me përfaqësuesit e Federatës Ruse”, thuhet në njoftimin nga presidenca ukrainase.
“Çështja kryesore e bisedimeve është një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e trupave nga Ukraina”, vijon njoftimi.
Delegacioni ukrainas mbërrin në Bjellorusi
Delegacioni ukrainas ka mbërritur në Bjellorusi për bisedimet me Rusinë.
Sipas një njoftimi nga zyra e presidentit, delegacioni do të jetë Ministri i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov, këshilltari i Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podoliak dhe zëvendës ministrin e Punëve të Jashtme, Mykola Tochytskyi.
Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky nuk është pjesë e delegacionit. Ai ndodhet në Ukrainë për të mbrojtur vendin e tij përballë forcave ruse.
Në pamje duket tryeza e përgatitur ku do të ulen për bisedime delegacionet e dy shteteve, ndërkohë që në orën e fundit është raportuar se nuk janë dëgjuar më sirenat e sulmit ajror në disa qytete të Ukrainës.
“Vendi për bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në Bjellorusi është përgatitur, pritet të vijnë delegacionet”, shkroi Ministria e Jashtme e Bjellorusisë në rrjetet sociale, duke publikuar një foto të një tavoline të gjatë me flamuj rus dhe ukrainas.
Ditën e djeshme, përmes një njoftimi në Telegram, zyra e presidentit Volodimir Zelensky njoftoi se të dyja palët do të takohen në një vend të paidentifikuar në kufirin bjellorus, ndërsa ora nuk është njoftuar.
Ndër të tjera, Ukraina këmbënguli që bisedimet të mos bëheshin në Bjellorusi, aty ku Rusia ka dërguar një numër të madh trupash para se të niste sulmin ndaj Ukrainës të enjten.
Zyra e presidentit Zelensky tha se presidenti i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, aleat i Putinit, ka rënë dakord që gjatë bisedimeve, mjetet e luftës të dërguara aty, nuk do të lëvizin.
Ndërkohë Putini urdhëroi forcat bërthamore ruse që të jenë në gatishmëri të nivelit të lartë, për shkak të “deklaratave agresive nga udhëheqësit e NATO-s dhe sanksioneve ekonomike kundër Moskës”.
Shtëpia e Bardhë reagoi duke theksuar se ky urdhër i Presidentit Putin është pjesë kërcënimeve të sajuara nga Moska për të justifikuar agresionin.
“Rusia në asnjë moment nuk ka qenë nën kërcënimin e NATO-s, Rusia nuk ka qenë nën kërcënimin e Ukrainës”, tha një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.