Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, por edhe deputetë nga partitë në pushtet dhe opozitë, ditëve të fundit kanë shpeshtuar udhëtimet në vendet e Bashkimit Evropian, siç është thënë, për të lobuar për integrimin evropian të Kosovës.
Deputetë nga partitë në pushtet dhe opozitë, kanë mendime të ndryshme nëse në prag të një vendimi të institucioneve të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, lobimi në vendet që e kanë njohur Kosovën, por edhe ato që nuk e kanë njohur, është i domosdoshëm ose jo.
Zenun Pajaziti, deputetet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës thotë se Kosova gjendet pranë një momenti, ku lobimi është i nevojshëm nga të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe përfaqësuesit e Kuvendit.
“Qëllimi më i afërt më diçka që e presin të gjithë është liberalizimi i vizave. Edhe aktivitetet e kryeparlamentarit me një grup të deputetëve nga parti të ndryshme e ka këtë qëllim. Është një agjendë e tij, për të kontaktuar vendet, të cilat do të mund të na ndihmonin më shumë se sa që ne e presim, për të lobuar edhe ato, për të krijuar votat e nevojshme në institucionet e BE-së, për çështjen e vizave. Gjithashtu, edhe deputetë tjerë, kanë pasur aktivitete tjera të ngjashme”, theksoi Pajaziti.
Por, Mimoza Kusari – Lila, deputetet nga radhët e subjektit politik Alternativa, që është pjesë e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke folur për REL, thekson që aktivitetet e kryetarit të Kuvendit, por edhe një grupi të deputetëve, është duke u zhvilluar në kuadër të diplomacisë parlamentare.
Por, sipas saj, procesi i lobimit duhet të jetë pa afate dhe jo vetëm për kauza, të cilat tash konsiderohen si emergjente apo afatshkurta, siç është liberalizimi i vizave. Megjithatë, sipas saj, një pjesë të koordinimit të këtij lobimi, duhet të bëhet në mënyrë sistematike, prej organeve kompetente, Ministrisë së Jashtme, Presidencës dhe Kuvendit.
“Kjo është që të mos kemi vetëm në kohë të votimeve të tilla, organizime të turneve lobuese, por gjatë gjithë procesit të përgatitjeve para këtyre vendimeve, që edhe ambasadat të jenë të angazhuara. Gjithashtu të kërkohet llogari prej diplomatëve tonë në këto vende, në raport me takimet të cilat i mbajnë. Konsideroj se po vërehet një aktivitet jo i koordinuar, një aktivitet, i cili më tepër është iniciativë individuale nga udhëheqës të caktuar se sa një koordinim ndërinstitucional”, tha Kusari-Lila.
Por, sa mund të jetë i efektshëm lobimi deputetëve, përfshirë edhe kryetarin e Kuvendit, lidhur me arritjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, por edhe integrimet tjera evropiane, sikurse anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe të ngjashme?
Deputeti Pajaziti, thotë se Komisioni parlamentar për integrime evropiane, anëtar i të cilit është ai, është duke planifikuar kontaktet të tjera për të lobuar për integrimet e tilla.
“Nuk duhet të rrimë duarkryq, të themi se i kemi kryer obligimet tona dhe të presim BE-në. Janë parlamentet e vendeve të ndryshme dhe institucionet e BE-së, Këshilli i Evropës, Parlamenti i Evropës, që duhet të përballen në procedurë të votimit. Pra, ne duhet të kërkojmë nga partnerët tanë, miqtë tanë, kudo që janë dhe cilido prej shteteve, që të na ndihmojnë, që të lobojnë te shtetet që ende nuk na kanë njohur, por edhe tek ata që na kanë njohur. Edhe ne vet, po provojmë që të krijojmë kontakte të drejtpërdrejta me ta. Madje unë mendoj se nuk po bëjmë shumë. Mendoj që duhet të fokusohet, shumë më shumë, aktiviteti jonë dhe agjenda jonë në lobim edhe për vizat, por edhe për proceset tjera integruese”, u shpreh Pajaziti.
Në anën tjetër, deputetja Kusari – Lila, shpreh mendimin se efektet e lobimit aktual, mbeten të shihen dhe vendimet e vendeve të Bashkimit Evropian, lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, nuk varen vetëm nga ky lobim.
“Nëse flasim vetëm për këtë formë të lobimit, atëherë mund të themi se është afatshkurtër dhe në moment të fundit. Ne shumë shpejt do të marrim vesh për procesin e liberalizimit të vizave për kosovarët. Prandaj, unë personalisht dyshoj që në këtë moment të fundit, diçka mund të ndryshojë. Shumica e vendeve anëtare i kanë vendimet e veta dhe proceset e brendshme politike, por që edhe pala kosovare është duhet të ketë qenë shumë më e përgatitur në aspektin e diplomacisë aktive në takime dhe në lobim me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilat, në fund, do të miratojnë ose të mos miratojnë liberalizimin e vizave për Kosovën”, theksoi Kusari-Lila.
Në javën e parë të qershorit, një grup i deputetëve të Kuvendit të Kosovës patën udhëtuar për në Vjenë me qëllim të lobimit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar Strasburgun, ndërkohë që aktualisht është duke qëndruar në Francë, ku siç është thënë do të bisedojë me parlamentarët francezë për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës, përkatësisht liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.