Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të premten e kaluar kanë votuar në lexim të dytë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Pas miratimit, ky Ligji është dekretuar nga Zyra e Presidencës dhe ka hyrë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Në dispozitat e këtij Ligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve ekzistuese, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Kosovës pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19, shkruan Telegrafi.
Por, cilët janë ligjet që duhet të plotësohen apo të ndryshohen në mënyrë që nis zbatimi i masave të parapara në këtë Ligj?
Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës
Qeveria e Kosovës me ndryshimin e këtij Ligji parasheh kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro.
Nenit 7 të këtij Ligji i shtohet paragrafi “Përjashtimisht, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, pjesëmarrësit mund t’i tërheqin dhjete për qind (10%) të kursimeve të tyre pensionale në FKPK, në përputhje me nenin 12A të këtij Ligji. Mjetet e tërhequra nga pjesëmarrësit sipas këtij neni, e të cilët kanë kursime deri në nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e nëntë euro (9,999.00 euro) kompensohen në formë rimburësimi, duke filluar nga viti 2023, sipas formulës dhe metodologjisë se rimburësimit që vendoset me vendim te Qeverisë së Republikës së Kosovës, në konsultim me Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, brenda afatit prej gjashte (6) muajsh nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji”.
Sipas këtij ndryshimi, pjesëmarrësit aplikojnë në formë elektronike pranë FKPK-së brenda katër muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij Ligji.
“Pagesa e mjeteve të aprovuara bëhet në bazë të numrit, çmimit dhe vlerës se njësive që ka çdo aplikant në Llogarinë e tij personale në FKPK në ditën e aplikimit, përfshirë këtu ndryshimet eventuale në çmimin e njësisë deri në datën e pagesës. Mjetet e tërhequra sipas këtij neni, janë të përjashtuara nga Tatimi në të Ardhurat Personale”, thuhet në Ligj, përcjell Telegrafi.
Përkrahja e ndërmarrjeve private
Në nenin 12 të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike thuhet se të gjitha ato biznese që kanë pasur problem të funksionimit të rregullt gjatë pandemisë do të përkrahen në shumën prej 200 milionë euro.
“Të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur problem të funksionimit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilat kanë qenë aktive në regjistër të Administratës Tatimore të Kosovës, para datës 29 shkurt 2020, mbështetjen financiarisht nga ana e buxhetit të Republikës së Kosovës me mjete monetare për t’i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej dyqind milionë euro (200,000,000 euro)”, thuhet në Ligj.
Pagat e punëtorëve në sektorin privat
Po ashtu, sipas këtij Ligji është paraparë të paguhen me nga 300 euro për tre muaj për të gjithë ata punëtorë që kanë humbur vendin e punës gjatë kohës pandemisë COVID-19, përkatësisht nga data 29 shkurt deri më 30 dhjetor.
“Paguhen, nga ana e Buxhetit të Republikës së Kosovës, pagat e punonjësve në sektorin privat për periudhën tetor – dhjetor 2020 të cilët si pasoje e pandemisë COVID-19, janë larguar apo pezulluar nga puna e tyre për periudhën jo më të shkurtër se tre (3) muaj, pas datës 29 shkurt 2020, e deri më 30 dhjetor 2020. Shuma e pagesës për punëtorët nga paragrafi i 1. i këtij neni, është treqind euro (300 euro) për një (1) muaj”, tregon Ligji, përcjell Telegrafi.
Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore
Me ndryshimin dhe plotësimin e këtij Ligji është paraparë lëshimi i garancive kreditore në masën prej 80 për qind.
“Neni 3, paragrafi 1., pas tekstit në nën-paragrafin 1.14. i LTHFKGK-së, shtohet teksti si në vijim: Përjashtimisht, me qellim të rimëkëmbjes ekonomike, FKGK autorizohet të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës deri në tetëdhjetë për qind (80%)”, thuhet në Ligjin e Rimëkëmbjes.
Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar
“Në Kapitullin X ‘lirimet në eksportim’, në nenin 31, paragrafin 1., të Ligjit Nr.05/L-037 për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, pas nën-paragrafit 1.5., shtohet nën-paragrafi i ri 1.6., me tekstin si vijon: Lënda e parë, e cila prodhohet nga veprimtaritë biznesore të regjistruara dhe aktive në Republikën e Kosovës, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo, lirohet nga TVSH”, tregon Ligji.
Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat
Ky ndryshim do të bëhet për t’i liruar nga interesi tatimpaguesit i obligimeve tatimore brenda vitit 2020.
“Neni 28 i Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin Nr. 04/L-102, me Ligjin 04/L-115 dhe me Ligjin Nr. 04/L-223, pas paragrafit 7., shtohet paragraf i ri me numrin rendor 8, me tekstin si në vijim: Përjashtimisht nga dispozitat tjera të këtij neni, lirohen nga interesi tatimpaguesit që kanë obligime tatimore të pa paguara që kanë ndodhur prej 01.01.2020 nëse deri me 31.12.2020 i paguajnë të gjitha obligimet tatimore baze, në bazë të marrëveshjes me ATK-në për pagesën e obligimeve”, thuhet në Ligj, përcjell Telegrafi.
Përparësitë për prodhuesit e produkteve dhe shërbimeve vendore përgjatë pandemisë COVID-19
Në Ligjin për Rimëkëmbje është paraparë që t’i jepet përparësi prodhuesit vendor gjatë vlerësimit të ofertave në prokurim.
“Gjatë vlerësimit të ofertave, të cilat janë dorëzuar nga prodhuesit e produkteve dhe shërbimeve vendore, kontratave të furnizimit për punë apo ofertuesve vendor, që në ofertë përmbajnë vetëm produkte dhe shërbime vendore, do t’i jepet përparësi krahas ofertave të ofertuesve me produkte dhe shërbime të huaja, në rast se diferenca në mes të këtyre ofertave nuk është më e lartë se dhjetë (10) pikë. Në rast se kriter për dhënie të kontratës është çmimi më i ulët, atëherë i jepet preferencë ofertuesit vendor me produkte dhe shërbime vendore, në rast se çmimi i po të njëjtës nuk është më i lartë se pesëmbëdhjetë për qind (15%) në krahasim me ofertën e ofertuesit të huaj”, tregon Ligji.
Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Minierat dhe Mineralet
Ky ndryshim parasheh lirimin e pagesës së rentës minerare në një periudhë pesë mujore.
“Me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, lirohen nga pagesa e rentës minerare prej datës 1 janar 2021 deri më 31 maj 2021, të gjitha subjektet që obligohen të paguajnë këtë rentë”, thuhet në Ligj.
Plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Rregullatorin e Energjisë
Qeveria e Kosovës në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen Ekonomike, do të subvencionoj tarifën e Burimeve të Energjisë së Ripëtritshme për gjithë konsumatorët për pesë muaj për periudhën j janar 2021 deri më 31 maj 2021.
Në kuadër të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, po ashtu, do të bëhet plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Agjencinë Kosovare të Privatizimit; për Menaxhimin e Financave Publike; për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Tatimin në të Ardhurat Personale.
Ky ligj do të mbetet në fuqi deri më 31.12.2021, përjashtimisht disa dispozitave që do të jenë të vlefshme deri në vitin 2028. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij Ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.