Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e Samitit për Ukrainën është takuar me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte.
Përmes një postimi në faqen e saj zyrtare në Facebook, Osmani ka thënë se me Rutte ka diskutuar në të mirën e popullit të Kosovës dhe të ardhmes euroatlantike të saj.
“Diskutime gjithnjë përmbajtësore me kryeministrin holandez, Mark Rutte, në të mirën e popullit të Kosovës dhe të ardhmes euroatlantike të saj“, shkroi ajo.
Osmani po përfaqëson shtetin në një samit për paqe në Ukrainë, që do të mbahet këtë fundjavë në Burgenstok të Zvicrës.
Sipas një njoftimi të Presidencës së Kosovës, presidentja në këtë samit do të “riafirmojë përkushtimin e Republikës së Kosovës për ta vazhduar mbështetjen për Ukrainën deri në fitore”.
Po ashtu thuhet se ajo do të flasë për rëndësinë e mbështetjes gjithëpërfshirëse globale “për t’u arritur paqe afatgjate dhe e qëndrueshme”.
Ndryshe, gati 90 vende dhe organizata do të marrin pjesë në samit, sipas presidentes së Zvicrës, Viola Amherd.
Sipas saj, pjesëmarrësit në samit – rreth gjysma e të cilëve do të jenë udhëheqës shtetesh ose qeverish – do të përpiqen të gjejnë një rrugë për t’i ndalur luftimet.