
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar të hënën me kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), myftiun Naim Tërnava.
Sipas njoftimin të Zyrës së Kryeministrit, në këtë takim Kurti ishte bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe këshilltaren ligjore të Kryeministrit, Tea Blakaj Hoxha.
Në takim është folur për Projekligjin për Liritë Fetare.
“Në takimin e përbashkët me Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe këshilltaren ligjore të Kryeministrit, Tea Blakaj Hoxha, u bisedua edhe për Projektligjin për Liritë Fetare. Kryeministri Kurti e falënderoi Myftiun Tërnava për bashkëpunimin për këtë projektligj. U theksua se Qeveria e merr me seriozitet garantimin dhe respektimin e plotë të lirisë fetare, në mënyrë të barabartë, për të gjithë qytetarët pa dallim.” – thuhet në njoftimin e qeverisë.
Në anën tjetër në njoftimin e BIK-ut nuk është përmendur që është diskutuar për Projektligjin për Liritë Fetare.
Aty thuhet se është biseduar edhe për gjendjen aktuale të vendit.
“Myftiu Tërnava në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën, me të cilin më pas diskutuan për gjendjen aktuale në të cilën gjendet vendi ynë, si dhe për bashkëpunimin e mirë që kanë pasur deri më tani. Ai më pas theksoi se Bashkësia Islame e Kosovës edhe më tej do të jetë e përkushtuar që në Kosovë të mbretërojë paqja dhe harmonia ndërfetare për të gjitha komunitetet që jetojnë këtu.”
“Nga ana e tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, falënderoi Myftiun Tërnava dhe gjithë Bashkësinë Islame të Kosovës për kontributin e tyre dhënë për të mirën e përgjithshme të qytetarëve tanë, e në veçanti për frymën e tolerancës dhe harmonisë fetare që mbretëron në Kosovë. Ai tha se, falë angazhimit të përgjithshëm, Kosova është një vend, ku komunitetet jetojnë në paqe, harmoni e bashkëjetesë.” – thuhet në njoftimin e BIK-ut në Facebook.