Ka dështuar të mbahet seanca e shqyrtimit kryesor ndaj të parit të Istogut, Haki Rugova i cili nga Prokuroria e Gjakovës akuzohet për veprën penale të konfliktit të interesit.
Haki Rugova akuzohet se ka nënshkruar një tender në vlerë rreth 300 mijë euro të cilin sipas Prokurorisë e ka fituar kompania që udhëhiqet nga vëllai i tij, Gani Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Rugova duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, sipas aktakuzës, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.
Mirëpo, seanca e sotme ka dështuar të mbahet për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes, Ali Uka, të pandehuri Haki Rugova dhe mbrojtësi i tij, avokatit Besnik Berisha.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, prokurori Uka nuk mund të prezantonte në seancën e sotme pasiqë ishte i angazhuar në Konferencën Vjetore të KPK-së.
Kurse mbrojtësi i të pandehurit, avokati Berisha e ka njoftuar gjykatën se për seancën e sotme nuk mund të merrte pjesë për shkak të obligimeve personale jashtë shtetit.
Ndryshe, në këtë seancë mungoi edhe i akuzuari Rugova i cili edhe pse ishte ftuar në mënyrë të rregullt, mosardhjen nuk e ka arsyetuar.
Në këtë seancë ishin prezent dëshmitarët Naser Gjocaj, Sylë Maksutaj dhe Rrustem Gashi ndërsa mungoi dëshmitari Gani Rugova i cili mosardhjen nuk e kishte arsyetuar.
Seanca e radhës u caktua më 26 shkurt 2021, ora 10:00.
Ndryshe, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur me 17 janar 2019, i akuzuari Haki Rugova ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.
Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289.119.85 euro.
Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.
Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.
Por, ky i fundit, më 17 janar 2018, me shkresë i ishte drejtuar kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, dhe pas konsultimit me kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.
“Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.
Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut.