970×90
970×90
970×90
970×90

Dështimi i shtetit

Dështimi i shtetit

Arrestimi nga Policia e Kosovës i 6 shtetasve turq, të cilët kishin dokumente te rregullta dhe leje qëndrimi në Kosovë, si dhe dëbimi i tyre për në Turqi, paraqesin shkelje të ligjeve të Kosovës dhe frymës së Kushtetutës së vendit, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Krerët kryesorë të institucioneve të Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë theksuar se nuk kanë pasur informacione për aksionin e institucioneve të sigurisë për arrestimin dhe dëbimin e qytetarëve turq.

Haradinaj, të premten, ka shkarkuar ministrin e Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj, dhe drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Driton Gashi.

Politologu Ramush Tahiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e ka cilësuar si “skandal” dëbimin e qytetarëve turq për në Turqi, sidomos kur, sipas tij, ka mungesë të një marrëveshjeje për ekstradim, ku parashihen kushtet e ekstradimit.

Sipas Tahirit, në rast se për aksionin e arrestimit dhe dëbimit të shtetasve turq nuk kanë qenë në dijeni krerët e lartë institucionalë, ashtu siç ata deklarohen, kjo situatë “e shpërfaq Kosovën si shtet, i cili e ka funksionimin institucional dhe koordinimin e hierarkisë institucionale në stadin më të ulët të mundshëm”.

“Por, nëse ka ndodhur ndonjë gabim politik, sepse kanë qenë në dijeni dhe kjo është më shumë për t’u besuar, atëherë viktimizimi (i Sefajt dhe Gashit) nuk është se i ndihmon çështjes, sepse përgjegjësia mbetet te përzierja e institucioneve politike në punët e organeve përgjegjëse dhe të specializuara, në këtë rast Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë”, ka thënë Tahiri.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Krenar Gashi, studiues i shkencave politike. Sipas tij, kjo situatë është pasqyrë e sistemit politik të Kosovës, sepse “ka qenë jashtë çdo pritjeje që krerët institucionalë të jenë lënë anash në një operacion ndërkombëtar”, përmes të cilit janë bërë “shkelje të ashpra të të drejtave themelore” të gjashtë rezidentëve të Kosovës, si dhe shkelje të disa konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

“Është absurde të mendohet se një ndërveprim i tillë, kaq masiv dhe kaq mirë i planifikuar dhe i ekzekutuar me urgjencë, mund t’i ketë përjashtuar nga i gjithë operacioni të gjithë krerët institucionalë. Megjithatë, tre të parët e vendit po deklarojnë se kanë qenë të lënë jashtë dhe vetë lënia jashtë e tyre, në asnjë formë dhe në asnjë mënyrë, nuk i përjashton ata nga përgjegjësia politike. Sot është marrë një vendim për shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të AKI-së. Mirëpo, unë si qytetar i Kosovës nuk e kam zgjedhur as ministrin e Brendshëm e as shefin e AKI-së”, ka thënë Gashi.

Related posts