Deputetja e LVV-së, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka vazhduar sagën e përplasjeve me nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku, për lidhjet e saj të mundshme me ish-agjentin e arrestuar të FBI-së, McGonigal.
Deputetja Kryeziu-Hyseni ka thënë se përgjigja e Çitakut ndaj këtyre akuzave ka qenë e paqartë, dhe se vetëm “është munduar të hedhë mjegull për një temë shumë konkrete”.
Ajo tha se pyetja kryesore në këtë mes është shumë e qartë, dhe ka të bëjë me atë se a ka pasur takime të tjera mes Çitakut dhe McGonigal dhe, nëse po, për çka është diskutuar aty.
“Po flasim për një debat që ka shpërthyer në botë e veçanërisht në Shqipëri. Në secilin artikull thuhet se para mund të ketë marrë McGonigal nga politikanë ndër të tjera edhe nga Kosova. Nisur nga këto fakte dhe duke ditur edhe periudhën kohore të idesë së pazarave me territore dhe duke pasur parasysh që zonja e nderuar ka qenë ndër protagonistet kyçe të asaj aventure, pyetja është shumë e qartë: A ka pasur takime të tjera, publike apo jopublike? Dhe cilat kanë qenë temat e diskutimit?”, ka pyetur deputetja e VV-së në Facebook.
“Me 4 Tetor 2017 jam ftuar zyrtarisht të flas para oficerëve dhe kadetëve të FBI për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në luftimin e sfidave rajonale dhe globale. Folës kemi qenë unë dhe Henry Kissinger. Ngjashëm jam ftuar edhe në State Department, CIA etc”, ishte shpjegimi i nënkryetares së PDK-së për fotot në fjalë.