Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka thënë se Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP) dhe Shpend Ahmeti, të ikurit nga kjo lëvizje, nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim publik për rikthimin e Donika Kadaj-Bujupi në AAK.
Madje Sfeçla në llogarinë e vet në “Facebook” ka thënë se Ahmeti është treguar “dorëlirë” duke i dhënë AAK-së drejtoritë me buxhetin më të madh në Komunën e Prishtinës.
Postimi i plotë i Sveçlës:
Përgjatë krejt zhvillimeve të fundit politike, Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP) dhe Shpend Ahmeti, të ikurit nga Lëvizja, nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim publik për kalimin e Donika Kadajt fillimisht dhe informalisht nga Lëvizja të pjesëtarët e këtij grupi, e pastaj formalisht për rikthimin e saj në AAK. Çudi?
As Shpend Ahmeti, i cili ka tregu gjenerozitet duke i dhënë AAK-së drejtoritë me buxhetin më të madh në Komunën e Prishtinës, nuk mbajti qëndrim për këtë rikthim të Donika Kadajt në AAK.
A është kjo mungesë deklarimi nga ana e GDP-së dhe Shpend Ahmetit edhe miratim në heshtje për këtë rikthim të Donika Kadajt në AAK, pikërisht tani kur Demarkacioni është në pyetje?
Deri dje, Shpend Ahmeti pretendonte se nuk ishte vetëm kryetar i kryeqytetit, por edhe qytetar me qëndrime politike për çështje të rëndësishme që prekin zhvillimet politike në vend. Me këtë heshtje të tij, a po thotë Shpend Ahmeti se nuk është më qytetar me qëndrime politike?
Apo se nuk është fare i befasuar me këtë lëvizje të Donika Kadajt. A nuk do të ishte e dobishme që mediet të kërkojnë një prononcim për sqarim prej Shpend Ahmetit dhe GDP-së mbi këtë çështje? A është dakord Shpend Ahmeti dhe GDP-ja me urimin për suksese që Dardan Sejdiu i ka bërë me gojë Donika Kadajt për rikthimin e saj në AAK?