Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë mërgimtarin nga Gjermania, Reshat Sadikun i cili kishte kanosur ish-kryeministrin, Avdullah Hoti në rrjetin social “Facebook”.
Një gjë e tillë është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, nga zëdhënësja e kësaj Gjykate, Mirlinda Gashi.
Fillimisht, sipas aktgjykimit ndaj të akuzuarit u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit dënimi me burgim iu zëvendësua me dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.
Me të dalë para gjykatës, sot, mërgimtari u afrua pranë deputetit Hoti, duke i thënë se i “gjunjëzohet, por që probleme të tilla s’ka pasur asnjëherë”.
“Kam kontribu shumë, tash më ndodhi kjo. Me të vërtetë gjunjëzohem para jush, se nuk jam njeri i tillë, kurrë në gjyq s’jam kanë as kurrë këso probleme s’kam pas”, tha ai në gjykatë.
Ndryshe, dënimin më gjobë i akuzuari obligohet që ta paguajë në dy këste në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Sipas aktgjykimit, nëse i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguajë dënimin e shqiptuar me gjobë, gjykata dënimin me gjobë ia zëvendëson më dënim me burgim, dukë iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgimi.
I njëjti obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogaritën nga gjykata, si dhe shumën prej 20 euro për paushallin gjyqësorë, e 20 euro tjera për fondin e kompensimit te viktimave të krimit.