Kosova nuk do të mundë të anëtarësohet në BE dhe në NATO pa arritur normalizim me Serbinë. Kështu ka deklaruar dje ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, me rastin e festimit të Ditës së Pavarësisë së SHBA-së.
Sipas tij, Kosova duhet t’i tejkalojë dallimet me Serbinë dhe të negociojë marrëveshjen përfundimtare në dialog.
“Kosova paguan çmimin çdo ditë, çdo muaj, çdo vit për faktin thellësisht zhgënjyes se sovraniteti dhe pavarësia juaj ende nuk pranohen nga të gjithë. Ky çmim është ekonomik, komercial, politik dhe shoqëror. Edhe unë jam po aq i kënaqur sa ju nga ky realitet i hidhur, por fakti qëndron se ju po e paguani këtë çmim”, ka deklaruar Delawie, duke shtuar se Kosova e paguan këtë çmim sa herë që ndërmarrjet e huaja e anashkalojnë investimin në një vend, ligjshmëria e të cilit vihet në dyshim.
“Ju e bartni barrën e asaj që bizneset ndërkombëtare e quajnë rrezik politik. Çmimi afatgjatë i kësaj pengese njëmend është i pallogaritshëm. Kjo është barra e rëndë e fusnotës që Kosova ende e bart. Për mua kjo do të thotë se nuk keni zgjidhje tjetër përveç zgjidhjes përfundimtare të marrëdhënies suaj me Serbinë dhe sa më herët e bëni këtë, aq më mirë”, ka theksuar Delawie.
Sipas tij, Kosova e ka edhe një kodër tjetër për t’u ngjitur. “Luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i besimit të opinionit publik. Zyrtarët publikë në një demokraci kanë detyrim që t’i japin llogari popullit të vet, i cili ua paguan pagat dhe që ta vënë shtetin në vend të parë, mbi interesat personale ose politike”.
Një kulturë, sipas Delawie, që vë interesat e vendit mbi përfitimin personal dhe lufta sistematike dhe e vazhdueshme kundër korrupsionit janë thelbësore për gjithçka që Kosova shpreson t’i përmbushë. “Përballuni me sfidat para jush dhe Kosova mund t’i arrijë qëllimet për të ndërtuar një ekonomi të larmishme dhe dinamike, për të zhvilluar marrëdhënie produktive e paqësore me fqinjët e saj dhe siç thuhet në Kushtetutën e saj ‘për të ndërtuar të ardhmen e Kosovës si vend i lirë, demokratik, paqedashës që do të jetë atdheu i të gjithë qytetarëve të vet’”.