
Ky është momenti i arrestimit të miliarderit turk Faruk Fatih në Himarë, që ndodhej në kërkim ndërkombëtar për mashtrim me kriptomonedhat.
Policia shqiptare në një njoftim për mediat thotë se bashkë me të, ishin dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar laptopë, aparate celulare, karta bankash etj.
Fatih ishte arratisur nga Turqia në prill të vitit 2021 dhe jetonte në lagjen “5 Maji”, në Elbasan.
Ai akuzohet se ka mashtruar dhjetëra mijëra turq, të cilët kishin investuar paratë e tyre në monedhën virtuale turke “Thodex”, e cila shpalli falimentin. Ozer është larguar nga Turqia me 2 miliard dollar në kriptomonedha.
Në Shqipëri ishte futur nga pika e kalimit kufitar të Rinasit më 20 prill të vitit të shkuar, ndërkohë që dolën dhe pamje filmike nga momenti kur ai u akomodua në një prej hoteleve të kryeqytetit, nga një shtetas shqiptar, i cili ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të veprës penale që kishte kryer biznesmeni turk.
Ndërkohë përmes një postimi në Twitter Ozer mohoi asokohe akuzat, ku theksonte se kompania ishte në shënjestër të një fushate shpifjesh.