Ish-deputeti dhe anëtari i AAK-së, Daut Haradinaj, ka shprehur mbështetjen e tij për kandidatin Ukë Blakaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Haradinaj ka vlerësuar angazhimin dhe përkushtimin e Blakajt si përfaqësues i diasporës dhe kryetar i AAK-së në Istog, shkruan Gazeta Projekti.
“Po e mbylli ditën në Istog me mikun tim të çmuar, Ukë Blakaj. Uka e ka përmbushur listën tonë si përfaqësues i diasporës dhe si kryetar i AAK-së në Istog. Mobilizimi i tij dhe dashuria për vendlindjen, për tokën për të cilën dha edhe babanë e vet në luftë, dëshmojnë qartë përkushtimin e tij si afarist për t’i kontribuar Kosovës dhe veçanërisht Istogut, me përvojën e madhe afariste dhe me lidhjet e tij në Gjermani,” ka shkruar Haradinaj.
Ai ka theksuar se Blakaj, me numër 37 në listën e AAK-së, ka arritur të mobilizojë mijëra shqiptarë në diasporë rreth kauzës së partisë dhe ka sjellë në Kosovë një kulturë të lartë politike.
“Fitorja e tij nesër do të ishte një nder për Kuvendin e Kosovës,” ka përfunduar Haradinaj, duke e cilësuar Blakajn si një vlerë të shtuar për skenën politike vendase.