Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se “më arrestuan me pompozitet, në bazë të një urdhërarresti të lëshuar 16 ditë më parë, edhe ai i lëshuar jashtëligjshëm”.
“Më liruan pas 2-3 orësh sepse s’kishin si t’më mbanin kur edhe urdhërarresti edhe arrestimi ishin të paligjshme”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
“Brutaliteti autoritar që kundërshtimin e vërtetë synon ta shtypë me dhunë, nuk ka tjetër formë. Qeverisë Kurti po i dridhen themelet, prandaj këto veprime policore joligjore”.
“Pse zgjodhën pikërisht 1 ditë para protestës së veteranëve ta aktivizojnë këtë urdhërarrest që ishte lëshuar para 2 javësh për një rast krejt tjetër. Pse më liruan menjëherë, pa më dërguar as në prokurori e as në gjykatë. Kjo nuk lë asnjë dilemë. Këtë ma konfirmuan edhe policët: arrestimi ishte rezultat i qartë i presionit politik”, ka shtuar ai.
Ai ka theksuar se tentim frikësimi e shfaqje e forcës, në një kohë kur kundërshtimi qytetar po rritet ndaj kësaj qeverie.
Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka njoftuar se kryetari i Partisë Social Demokratike, Dardan Molliqaj, është arrestuar pasi kishte një urdhërarrest nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
“Policia e Kosovës bazuar në urdhër arrestin e lëshuar nga organet e drejtësisë, sot në orët e pasdites në rrugën ‘Agim Ramadani’ në Prishtinë, ka arrestuar personin D.M, i cili ishte në kërkim”, thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkaq aktivisti Frashër Krasniqi, ka potencuar se “kjo është fytyra e Qeverisë Kurti”.
“Na arrestuan brutalisht për të treguar forcë, e na liruan pas 2 orësh sepse arrestimi ishte joligjor. Arbitrariteti i mendësisë totalitare nuk është ndryshe”.