Wesley Clark, ish-komandant i NATO-s gjatë bombardimeve mbi ish-Jugosllavinë më 1999, ka folur gjerë e gjatë për situatën në Kosovë, Serbi e Ballkanin Perëndimor. Gjenerali amerikan në pension ka vlerësuar se mund të ketë konflikt në Ballkan, ndonëse Clarku mendon se kjo nuk është diçka që mund të parashikohet saktë.
Në intervistë, Clark ka ritheksuar fjalët e mira për Christopher Hill, ambasador i ShBA-së në Serbim duke thënë se puna e mirë e tij është faktor pozitiv.
“Epo, mendoj se mund të ketë konflikt në Ballkan, por nuk mendoj se kjo është diçka mund ta parashikojmë saktë. Unë mendoj se prania e KFOR-it është një faktor i rëndësishëm. Mendoj se edhe puna e mirë e ambasadorit Chris Hill në Serbi është po ashtu faktor pozitiv. Kështu që unë mendoj se ne po bëjmë atë që mundemi nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara dhe nga perspektiva e NATO-s për tu siguruar që të mos ketë një konflikt të ri në Ballkan. Por, ju e dini, shumë varet nga ajo që ndodh në Ukrainë. Shtetet perëndimore dhe Uashingtoni duhet të intensifikojnë përpjekjet për ti dhënë Ukrainës më shumë ndihmë ushtarake dhe të ndihmojë Ukrainën të mbrohet kundër agresionit rus.” – ka thënë ai.
I pyetur për vazhdimin e përpjekjes së Kosovës për fuqizimin në arenën ndërkombëtare, Clark theksoi se rezistenca e Serbisë për ta bllokuar Kosovën nxitet nga Rusia.
“Epo, unë mendoj se një pjesë e madhe e rezistencës nxitet nga Rusia, e cila nuk do që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Dhe mendoj se Rusia që po e përdor këtë çështje për të krijuar një çarje mes demokracive perëndimore.” – ka vlerësuar ai.
Në intervistë për A2, Clark ka thënë se sheh shumë presion në Serbinë, duke rithkesuar nevojën që Serbia ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.
“Mendoj se Serbia përfundimisht do ta njohë Kosovën si shtet. Unë mendoj se shumë do të varet nga mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë. Nëse Ukraina pranohet si anëtare e NATO-s dhe se si do ti përgjigjet Rusia kësaj. Dhe përfundimisht, siç tha Presidenti Obama, historia do të përkulet nga drejtësia. Dhe unë mendoj se drejtësia në këtë rast është ajo qe serbët do të lënë mënjanë ambiciet dhe pasiguritë e tyre historike dhe do të kalojnë në shekullin e 21-të. Të njëjtën gjë duhet ta bëjë Kosova dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit.” – tha ai.
Duke folu për anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në NATO, Clark tha se anëtarësimi i saj do të ishte befasi.
“Mendoj se me Serbinë ka çështje politike. Nuk mendoj se është gati të anëtarësohet në NATO. Do të ishte befasuese nëse do te ndodhte. Nëse Serbia dot e merrej me çështjet problematike do të ishte e mirëseardhur të anëtarësohej në NATO. Unë mendoj se kjo do të ishte një gjë e mrekullueshme. Do të doja gjithashtu të shihja Kosovën gjithashtu në NATO. Ka disa gjëra specifike që duhet të bëhen për të qenë gati për anëtarësim në aleancë, dhe do të më duhej të hyja në detaje specifike për ta vlerësuar gatishmërinë për t’u anëtarësuar, dhe nuk e kam bërë këtë. Por mendoj se në parim do të ishte një gjë e mrekullueshme nëse i gjithë Ballkani ishte në NATO.” – tha ai.