Kur kompania “Apple” t’i shpalosë “iPhone”-t e saj të rinj pritet të shkaktojë bujë të vërtetë, ngase do të nxjerrë celularët e parë në botë që do të kenë një lloj të ri çipi.
Kjo gjë do t’ua bëjë të mundur njerëzve realizimin e më shumë gjërave nëpërmjet celularit, si montimin e videove 4K, realizimin e fotografive me cilësi të lartë dhe lehtësimin e lojërave me videolojëra të grafikave më intensive që kërkonin përdorimin e baterive më të fuqishme.
Përfshirja e “procesit pesënanometrash” i referohet faktit se transistorët e çipit janë tkurrur, duke lejuar kësisoj përfshirjen e miliarda sish, shkruan BBC.
Kjo gjë faktikisht nënkupton fuqi më të madhe truri.
Vetëm katër vjet më parë, shumë njerëz të përfshirë brenda kësaj industrie kishin shprehur dyshime se avancimi mund të arrihej kaq shpejt. Kjo ka qenë dhe është pjesë e zgjuarsisë së një kompanie holandeze relativisht të pakapshme – ASML, transmeton KOHA. Ajo u hapi rrugën kërkimeve të modeleve qarkore përbrenda silikonit nëpërmjet një procesi të quajtur litografi ekstreme ultravjollce (EUV).
Makinat e saj kapin shifrën e më shumë se 123 milionë dollarëve secila, shumë kjo që është e lartë, madje edhe në proporcion me mjetet gjysmëpërçuese të industrisë. Por kjo është aktualisht e vetmja kompani që i prodhon ato. Dhe ato ende janë prapëseprapë me kosto më efektive sesa opsionet alternative, pjesërisht për shkak të shkallës së ulët të defekteve.
“Në shkallë të tilla, preciziteti është çelësi”, ka thënë Ian Cutress, i cili raporton për sektorin në revistën teknologjike online “Anandtech”. “Ajo që ata po bëjnë është e barasvlershme me vënien e një vule në sipërfaqen e Marsit me një aeroplan prej letre”.