
Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, do të jetë në një vizitë të gjatë në rajon nga 11 dhjetori deri me 17 dhjetor.
Chollet do të qëndrojë në Kosovë, Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Kroaci.
“Kjo vizitë nënvizon përkushtimin e qëndrueshëm të SHBA-së për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit”, thuhet në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
Më 12-13 dhjetor, Chollet do të qëndrojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me zyrtarë qeveritarë dhe liderë të tjerë politikë për të diskutuar bashkëpunimin e vazhdueshëm për një sërë çështjesh, duke përfshirë përpjekjet e SHBA-së për të avancuar integrimin e Kosovës në strukturat evropiane dhe euroatlantike, dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, thekson njoftimi.
Ai po ashtu pritet të kërkojë shtyerjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat në veri.
Para ardhjes në Prishtinë, Chollet, tha se zgjedhjet për pushtetin komunal në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe duhet të shtyhen dhe se për këtë çështje do të diskutojë më udhëheqësit e Kosovës gjatë vizitës së tij në Prishtinë javën që vjen.
Në intervistën për Zërin e Amerikës, Chollet tha se Shtetet e Bashkuara mendojnë se “nuk është koha e duhur për zgjedhje duke pasur parasysh ndjeshmërinë e momentit dhe kemi parë dhunë në 24 orët e fundit. Është kohë e tensionuar dhe duam të sigurohemi se ka kushte për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të drejta. Kosova është demokraci shumetnike, sikurse Shtetet e Bashkuara. Ne jemi krenar me punën që Shtetet e Bashkuara kanë bërë në këto 20 e ca vjet për ngritjen e demokracisë në Kosovë dhe duam të punojmë për ta mbështetur dhe ruajtur atë. Së këndejmi mendojmë se këto zgjedhje duhet të shtyhen derisa koha të jetë e duhur dhe kur mund të mbahen pa nxitur më shumë joqëndrueshmëri dhe dhunë”.
Gjatë vizitës në Prishtinë, Chollet pritet të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.