
Ministri i Jashtëm në detyrë i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka thënë që në Hagë është takuar me Ministrin e Jashtëm të Holandës, Stef Blok.
Cakaj përmes një statusi në Facebook, ka thënë që komunikimi mes Shqipërisë dhe Holandës do të bëhet më intensiv për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.
Statusi i plotë i Cakajt:
Nga vizita zyrtare në Hagë dhe takimi miqësorë me Ministrin e Jashtëm të Holandës, Stef Blok.
Shqipëria dhe Holanda duhet të vazhdojnë bashkëpunimin dypalësh veçanërisht në fushën e intelegjencës kriminale, gjyqësorit dhe policisë për të adresuar çështjet e interesit të ndërsjelltë. Angazhimi në procesin e integrimit evropian duhet të jetë po ashtu pjesë qëndrore dhe e patjetërsueshme e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Komunikimi ynë do të bëhet edhe më intensiv veçanërisht në dritën e objektivit madhor të Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Raporti i Komisionit Evropian është evidenca e pamohueshme që progresi i Shqipërisë në pesë prioritet kyçe është substancial dhe që Shqipëria meriton hapjen e pakushtëzuar të negociatave për anëtarësim në BE menjëherë.