970×90
970×90

BYD ul çmimet deri në 30%, fitimi nën presion, shitjet në rritje

BYD ul çmimet deri në 30%, fitimi nën presion, shitjet në rritje

Aksionet e BYD, kompania më e madhe kineze e automjeteve elektrike, ranë me 8.6% të hënën, pasi kompania njoftoi zbritje të mëdha për disa modele, duke ngritur shqetësime për një luftë të re çmimesh në tregun e brishtë të makinave elektrike në Kinë. Rënia vijoi edhe të martën në sesionin aziatik, me një tjetër -4% në bursën e Hong Kongut, ndonëse aksionet e kompanisë mbeten mbi 50% më të larta krahasuar me fillimin e vitit.

Aksionet e rivalit global Tesla nuk patën luhatje të ndjeshme, megjithëse janë -13% në rënie që nga fillimi i 2025-ës.

Strategjia agresive e çmimeve ka ringjallur frikën për ngadalësimin e kërkesës për makina elektrike në Kinë, në kushtet e një ekonomie të dobësuar dhe tensioneve tregtare SHBA-Kinë. Edhe prodhues të tjerë kinezë si Geely, Xpeng dhe Great Wall Motor panë rënie nga 4% deri në 9%, për shkak të frikës nga goditja në marzhet e fitimit.

Sipas njoftimit të publikuar në llogarinë zyrtare të kompanisë në Weibo, BYD do të ulë çmimet për 22 modele elektrike dhe hibride deri më 30 qershor, me zbritje që shkojnë deri në 30%. Ndër më të spikaturat është modeli Seal 07 DM-i, me një ulje prej 53,000 juanë (rreth 6,460 euro), ose 34%.

Kjo strategji duket se synon edhe uljen e inventarit të akumuluar, që në katër muajt e parë të vitit është rritur me rreth 150,000 njësi — sa gjysma e shitjeve mujore me pakicë.

Sipas analistëve të Citi, ulja e çmimeve mund të nxisë një rritje të shitjeve javore me 30–40%, duke ndihmuar të amortizohen humbjet nga marzhet më të ulëta.

Megjithatë, BYD po ecën përpara. Në prill, kompania regjistroi 380,089 shitje të automjeteve me energji të re (NEV), me një rritje prej 21% krahasuar me një vit më parë. Për të pestin muaj radhazi, shitjet jashtë Kinës thyen rekorde.

Në një moment historik, BYD ia doli të shesë më shumë se Tesla në Evropë për herë të parë muajin e kaluar, me 7,231 makina të reja elektrike të regjistruara – një rritje vjetore prej 169%. Ndërkohë, shitjet e Tesla-s në Evropë kanë rënë këtë vit, pjesërisht për shkak të reagimeve kundër CEO-s Elon Musk.

Në tremujorin e parë të 2025-ës, BYD shiti gati 1 milion makina dhe është në rrugën e duhur për të arritur objektivin e saj prej 5.5 milionë shitjesh për vitin. Kompania deklaroi një fitim neto prej 9.15 miliardë juanë (1.11 miliardë euro), me një marzh fitimi prej 20%. Krahasimisht, Tesla raportoi 409 milionë dollarë dhe një marzh prej 16%.

BYD po investon edhe në teknologji të avancuar drejtimi autonom. Përdorimi i modelit R1 të DeepSeek pritet të rivalizojë sistemin Full Self-Driving të Tesla, por me kosto dukshëm më të ulët.

Kompania është gjithashtu prodhuesi i dytë më i madh i baterive në Kinë pas CATL, gjë që i jep përparësi në kontrollin e kostove dhe integrimin vertikal.

Në aspektin ndërkombëtar, BYD nuk eksporton makina pasagjerësh drejt SHBA-së, ndaj është më pak e ndikuar nga tarifat amerikane. Ajo fokusohet kryesisht në tregjet e Azisë Juglindore dhe Amerikës Latine dhe po ndërton një fabrikë në Hungari, e cila pritet të rrisë shitjet në Evropë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Related posts