Kur flasim për burgjet, kemi në kokë atë imazhin e dhomës së ftohtë me hekura, disa krevate dhe tek tuk ndonjë poster i vjetër apo shkrime nëpër mure. Por në Norvegji, kanë tjetër koncept për burgun. Në një dokumentar të zhvilluar nga CCN, tregohet se si sistemi i burgjeve në Norvegji është ndryshe nga i çdo vendi tjetër në botë. Sigurisht po flasim për burgjet e sigurisë së ulët ku vuajnë dënimin persona të cilët kanë kryer krime me rrezikshmëri të ulët.
Atje të burgosurit kanë dhoma personale, krevate të rehatshëm, dhe madje kompjutera apo televizorë në mënyrë që të argëtohen. Ambjentet jashtë janë relaksuese dhe ata kanë mundësi të lëvizin me biçikleta apo edhe thjesht të bëjnë banjo dielli. Madje punonjësit në burgjet norvegjeze punojnë së bashku me ta. Filozofia është e thjeshtë, burgu ka si qëllim rehabilitimin dhe krijimin e qytetarëve të mirë, e jo në thelb dënimin siç ndodh rëndom. Në dokumentar tregohet me detaje dita e të burgosurve atje, si edhe rezultatet që ky trajtim ka dhënë.