
MARTIRJA E KOSOVËS – ANICA BUCOLLI
Në përvjetorin e 17 prillit, Albert Bucolli kujton me dhimbje e krenari Anica Bucollin – gruan trimëreshë nga Pokleku i Drenicës, e cila në ditët më të vështira të luftës i dha bukë ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke treguar guxim dhe përkushtim për lirinë e vendit. Shkruan Gazeta Projekti.
Më 17 prill 1999, në orët e para të mëngjesit, forcat paramilitare serbe ndërmorën një ofensivë të egër në fshatin Poklek. Në këtë akt barbar, ata sulmuan shtëpinë e familjes Bucolli, duke dëbuar me forcë fëmijë, gra dhe pleq. Aty, në prag të shtëpisë së saj, u vra mizorisht Anica Bucolli – gruaja e axhës tonë – vetëm pse kishte ushqyer me bukë ushtarët e Brigadës 114 “Fehmi Lladrovci” të UÇK-së.
Nga ky sulm brutal mbetën të plagosura edhe:
– Feride Bucolli, 75 vjeç (gjyshja e familjes)
– Hata Krasniqi, 70 vjeç
– Ajete Haxhiu, 16 vjeç
“Nënë, faleminderit që i mbajte me bukë ushtarët e lirisë!
Lavdi e përjetshme martirëve të Kosovës!” ka shkruar Bucolli në rrjetin e tij Facebook.