
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka thënë se ai dhe Lajcak kanë bërë një propozim për targat, të cilin e ka pranuar Presidenti serb, por jo edhe Kryeministri Kurti.
Borrell njofton se nuk është arritur asnjë marrëveshje pas rreth 7 orësh negociata mes Kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuciq.
“Dy palët nuk u pajtuan për një zgjidhje sot”, ka thënë Borrel, transmeton Gazeta Express.
Ai thotë se nga BE-ja është bërë një propozim, por nuk e ka pranuar Kryeministri Kurti.
“Për hir të transparencës, më duhet të them se ne e dhamë një propozim që do të mund të evitonte këtë situatë të rrezikshme, që Presidenti Vuciq e pranoi sot, por Kryeministri Kurti nuk e pranoi”, tha Borrell.
“Unë presë nga Kosova që menjëherë të pezullojë gjobat në lidhje me riregjistrimin e targave dhe Serbinë që të pezullojë menjëherë lëshimin e targave KM. Ky ishte propozimi, i cili nuk u pranua”.
Borrell ka thënë se nuk mund të shërbejë “sundimi i ligjit” si pretekst për eskalim të situatës.
“Ky takim ndodhi tre muaj pas takimit të krizës. Nga kriza në krizë. Dhe, kësaj here është më keq se në gusht”, tha përfaqësuesi i BE-së.
Borrell thotë se u ka bërë me dije palëve “se nuk mund të vazhdojnë kështu”.