Ukë Blakaj, kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e AAk-së, i cili në listë mban numrin 37, ka vizituar familjen Paqarizi në fshatin Dragobil të Malishevës, një familje që gjatë luftës çlirimtare ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e vendit, shkruan Gazeta Projekti.
Familja Paqarizi, e njohur për angazhimin e saj në mbështetje të UÇK-së, ka qenë një pikë kyçe gjatë luftës, ndërsa Daut Paqarizi nga kjo familje ra dëshmor, duke dhënë jetën për lirinë e Kosovës. Të gjithë djemtë e familjes ishin ushtarë të UÇK-së në vijën e parë të frontit, duke mbajtur gjallë idealin për një Kosovë të lirë.
Blakaj u mirëprit nga vëllezërit Vehbi dhe Avdi Paqarizi në shtëpinë e tyre, e cila gjatë luftës ka shërbyer si bazë për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në këtë vizitë, të pranishëm ishin gjithashtu edhe vëllezërit Mazreku dhe Buqaj, si dhe Flamur Shala.
Gjatë takimit, Ukë Blakaj falënderoi familjen për mikpritjen e ngrohtë dhe mbështetjen që vazhdojnë të japin për Aleancën dhe për kandidaturën e tij për deputet. Kjo vizitë shërben si një kujtesë e rëndësisë së ruajtjes së vlerave dhe sakrificave të bëra për lirinë dhe të ardhmen e Kosovës./ Gazeta Projekti /