
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, për dështimin e marrëveshjes për targa të premten në Bruksel, ka thënë se Kosova ka qenë e përkushtuar të arrihet një marrëveshje permanente duke i respektuar praktikat dhe standardet më të mira të Bashkimit Evropian, por marrëveshja nuk është arritur për shkak të mungesës së vullnetit dhe propozimit konkret nga pala serbe.
Sipas Bislimit, kjo reflektoi interesimin e Serbisë për të bllokuar arritjen e kësaj marrëveshje dhe respektimin e Marrëveshjes së Brukselit të 30 shtatorit.
Bislimi këtë koment e dha të shtunën në takim me të dërguarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, të cilit i tha se Kosova vazhdon të jetë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar në dialog.
Sarrazin të premten u takua edhe me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla, ku i shprehu mbështetjen e plotë të Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës.