
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, tha sot se ka informacione që është rekomanduar heqja e masave sanksionuese ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian.
Sot, në Komisonin për Integrime Evropiane Bislimi tha se “përmbajtja e raportit është pozitive”.
“Raporti i z.Borrell është parakusht për trajtimin në KiE, është përpiluar në muajin prill, por ka pasur hezitim që të dërgohet në Komision. Raporti është dashur që të dorëzohet pardje, por një pjesë e Komisionit ka kërkuar pak shtyrje. Besojmë se do të dorëzohet javën tjetër. Informacionet që kam është se përmbajtja e raportit është pozitive dhe rekomandon heqjen e masave”, është shprehur Bislimi.
Bislimi, kryenegociatori për dialog me Serbinë, ka shtuar se masat e BE-së kanë ndikuar indirekt në imazhin e Kosovës dhe në integritetin e BE-së.
“Masat kanë ekspozuar njëanshmërinë e vet në gjithë këtë proces”, shtoi ai, duke theksuar se “ka pasur tendencë që masat të keqpërdoren”.
Në prill të vitit të kaluar BE-ja e kushtëzoi zyrtarisht integrimin e Serbisë bllokun evropian me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa ndaj Kosovës mban në fuqi masa ndëshkuese, të cilat u ndërmorën qysh vitin e kaluar, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri.