
Ekziston një shqetësim i madh në shumë pjesë të Evropës për negociatat SHBA-Rusi edhe pse presidenti amerikan Donald Trump (78) përjashton një tërheqje të plotë të trupave amerikane nga Evropa.
Kështu shkruan mediumi prestigjioz gjerman BILD, sipas informacioneve të së cilit, shërbimet perëndimore të sigurisë dhe politikanët kanë frikë se negociatat që filluan të martën në Riad mund të çojnë në përfundimin e pranisë së trupave amerikane në pjesë të mëdha të Evropës, përcjell Telegrafi.
Në këtë kontekst, shkruan Bild, një zyrtar i sigurisë së Evropës tha: “Sipas informacioneve tona, bëhet fjalë për kërkesat e (Vladimir) Putinit të vitit 2021, pra tërheqjen e trupave amerikane nga të gjitha shtetet e NATO-s që iu bashkuan aleancës pas vitit 1990”.
Siç thekson mediumi gjerman, një skenar i rastit më të keq të cilit shumë ekspertë i druhen është ai i një pushtimi të menjëhershëm nga ushtria ruse i ish-republikave sovjetike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë, si dhe një lufte në shkallë të gjerë me Poloninë.
Ish-ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis gjithashtu shpjegoi për X: “(Sergei) Lavrov kërkoi që NATO të kthehej në kufijtë e saj të vitit 1997 dhe të tërhiqej nga të gjitha vendet përveç Gjermanisë Lindore në interes të stabilitetit në Evropë. Pra, pse të mos e kërkojë Putini këtë në Riad?”.
Madje, sipas informacioneve të BILD, Italia po përgatitet edhe për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova.
“Atëherë aleatët evropianë do të ishin të vetëm në Ballkan kundër mikut të Putinit Aleksandar Vuçiq dhe ushtrisë së tij të fuqishme serbe”, thekson Bild, përcjell Telegrafi.
Në pjesën e fundit të shkrimit, mediumi gjerman sjell edhe një analizë të Financial Times, sipas së cilës: “Putini dëshiron që trupat e NATO-s të tërhiqen nga e gjithë ish-perandoria sovjetike. Zyrtarët evropianë besojnë se ka të ngjarë që Trump të pranojë të tërheqë trupat amerikane nga Baltiku dhe ndoshta më në perëndim. Kjo do ta linte BE-në të pambrojtur kundër një ushtrie ruse”.
Sipas informacioneve të BILD, aktualisht nuk janë në diskutim vetëm bazat amerikane në Ramstein të Gjermanisë dhe bazat e forcave ajrore në Britaninë e Madhe.
Kështu, vë në pah mediumi gjerman, pjesa tjetër e Evropës duhet të përgatitet për ndryshime të thella nëse Trump dhe Putin arrijnë një marrëveshje.