Biblioteka e qytetit në Gjakovë është një prej institucioneve që tërheq gjithmonë e më tepër vëmendjen e lexuesve.
E në një intervistë që Engjëll Berisha, drejtor i Bibliotekës së Gjakovës, dha për Telegrafin, potencoi që Biblioteka e Qytetit qëndron mirë e furnizuar me tituj të librave.
“Biblioteka Publike ‘Ibrahim Rugova’ në Gjakovë vazhdimisht në çdo fillim të vitit planifikon furnizimin me libra, blerje dhe pjesëmarrje në promovime prej nga e merr librin. Në vitet e fundit, nga 2019, qëndrojmë mirë të furnizuar dhe e kemi rritur fondin e librave.”, tha Berisha.
Berisha po ashtu është shprehur se pavarësisht rritjes së fondit të librave, viteve të fundit numri i lexuesve ka rënë.
“Lexuesi kudo paraqet krizë edhe të ardhjes në bibliotekë dhe të leximit. Ndoshta kanë biblioteka private, por, shikuar nga viti 2019, ka rënie të lexuesve prej gati 50 përqind.”, potencoi Berisha.
Llojllojshmëria e zhanreve të librave, është një aset që e gëzon Biblioteka Publike “Ibrahim Rugova” në Gjakovë, fakt ky që sipas Berishës ndikon që disa nga zhanret të jenë më të pëlqyera nga lexuesit.
“Lektyrat shkollore përdoren më së shumti. Pastaj, librat psikologjikë, romanet, historia dhe studimet filologjike dhe mjekësia.”, shtoi tutje Berisha.
Përveç kërkesave që Biblioteka plotëson për libra, Berisha shprehu se dhe ambientet e Bibliotekës i ofrojnë kushtet e nevojshme për lexuesit.
“Lexuesi e merr atë që kërkon, sallën, klimën, qetësinë, hapësirën e mjaftueshme me 250 ulëse brenda ditës. Pastaj shërbehet edhe me librat e kërkuara, e besoj që është i kënaqur, sepse ashtu edhe e marrim përgjigjen nga lexuesit”, shtoi ndër të tjera Berisha.
Ai po ashtu ceku edhe moshat që frekuentojnë Bibliotekën.
“Nga fillorja deri në moshë të shtyrë kërkojnë shërbime. Filloristët janë tejet të kënaqur, por dhe studentët marrin shërbimin e kërkuar”, përfundoi Berisha.
Kujtojmë që Biblioteka e Qytetit të Gjakovës ishte bërë me objekt të ri në vitin 2009, ku njëkohësisht kishte marrë edhe emrin e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.