Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj po merr pjesë në takimin e nivelit të lartë të Këshillit të Biznesit Francë-Kosovë të MEDEF International që mbahet në Paris.
Në fjalën e tij të mbajtur para afaristeve të Kosovës dhe francez, ministri Beqaj ka thënë se Kosova kapacitetet dhe potencialin më të madh për zhvillim ekonomik e ka rininë.
“Krahas të gjitha resurseve natyrore, resursi më i rëndësishëm dhe potenciali më i madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës është rinia. Janë të rinjtë dhe të rejat tona, të cilët po ecin shumë më shpejt se institucionet dhe të cilët janë burim i eksportit dhe që ne dëshirojmë t’i favorizojmë”, është shprehur Beqaj.
Beqaj në takimin e lartë të Këshillit të Biznesit Francë-Kosovë ka folur edhe për zhvillimet e reja dhe inovative në ekonominë botërore, me theks te ekonomia digjitale, duke potencuar se ekonomia botërore po lëviz shumë shpejt nga ekonomia reale drejt ekonomisë virtuale.
Në lidhje me punën e Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ministri Beqaj ka thënë se kjo ministri do t’u mundësojë ideve inovative që të zhvillohen dhe të përkrahen financiarisht deri në momentin kur ato bëhen të gatshme për t’u financuar nga bankat.
“Përmes komunikimit me universitetin po tentojmë ta lidhim ekonominë me shkencën, me arsimin, që njëra-tjetrës t’i përgjigjen në kushtet e reja. Me rininë që e kemi Kosova do të bëhet qendër rajonale për inovacion dhe ndërmarrësi”, ka theksuar Beqaj.