Ish-kryeministri Berisha ka zhvilluar një intervistë mbrëmjen e sotme në emisionin “Përballë” nga Lutfi Dervishi në TVSH ku ka folur për integrimin e Shqipërisë dhe Kosovës në BE.
Berisha gjithashtu ndau me teleshikuesit momentet e takimit me ish-presidentin e SHBA Georg Bush gjatë vizitës së tij në Shqipëri si dhe tregoi bisedën për Kosovën që konsumuan së bashku.
“Bush mu drejtua haptaz duke më thënë si mendon, kur mendon ti për pavarësinë e Kosovës. Unë i thashë se vetëm pavarësia është zgjidhja dhe ja shpjegova. Pastaj mu kthye dhe më tha: kur thua ti’ Kur më tha kur thua ti, ç’është e vërteta anëtarët e delegacionit të tij u shtangën dhe po më shihnin….”, tha Berisha.
PYETJE: Zoti Berisha 10 vjet më parë, në fjalën e përshëndetjes me rastin e pavarësisë së Kosovës mes të tjerash keni thënë se mirënjohja më e madhe për miqtë dhe aleatët që bënë të mundur këtë, është përqafimi i vlerave perendimore. 10 vjet më pas e ka bërë shoqëria shqiptare këtë përqafim?
Shoqëria shqiptare është shoqëria me trashëgiminë më të vështirë të të gjitha shoqërive në Europë. Shoqëria shqiptare trashëgon totalitarizmin më të egër, aparteidin dhe segregacionin në Kosovë, dhe pastaj duhet të pranojmë ndikimin e fuqishëm të Perandorisë Osmane. Pra, po ta shohim në këtë aspekt, rilindasit shqiptar dukeshin si ishuj apo si far në një det që ishte i ndryshëm nga psikologjia. Mund të themi një shoqëri, e cila dominohej në tërësinë e vetë nga feudalë me disa zhvillime të kapitalizmit por si sistem feudal të llojit otoman dhe jo të llojit të vendeve perendimore të cilat i kishin pranuar me kohë. Kështuqë shoqëria shqiptare, ata që e gjykojnë me shumë padurim duhet të kenë parasysh një gjë, që kjo shoqëri ka hipotekën më të hidhur, më të vështirë për ta kapërcyer. A po bën përpjekje në këtë drejtim? Të mëdha pa diskutim, dhe po bëhen përpjekje të mëdha për ta kapërcyer, edhe në Shqipëri edhe në Kosovë. Por, a ka arritur në pritshmëritë? Jo nuk ka arritur në pritshmëritë dhe mundësitë që ka patur. Historikisht po të shohim, tendenca jonë për të fajësuar të huajt, që nuk është vetëm e jona është e Ballkanit në tërësi, në të vërtetë fsheh dhe maskon problematika të mëdha tonat të brendshme.
PYETJE: Mendon se duhej bërë më shumë gjatë këtyre 10 viteve?
Mendoj se mund të bëhej më shumë, mendoj se Kosova ka bërë shumë gjatë këtyre viteve në rrafshin ekonomik. Dua të theksoj këtu se nëse ne, në katër vitet e para liri, për shkak të një rraskapitje të tmerrshme e të gjithanëshme nga 46 vite diktaturë, arritëm të ndërtonim gjithsej 6 km autostradë Tiranë – deri të Ura e Limuthit, Kosova në 5 vitet e para të saj ndërtoi autostradën Ibrahim Rrugova, ndërtoi dhe rindërtoi mbi 120 mijë banesa të rrënuara, të djegura e të shkatërruara nga lufta. Ndërtoi dhe rindërtoi dhe Kosovën në tërësi e ngriti në këmbë.
PYETJE:…më shumë dhe falë ndihmës së diasporës
Falë ndihmës së gjithanëshme edhe të komunitetit ndërkombëtar se u bë konferenca dhe u dhanë miliarda por edhe falë përdorimit me efiçencë të saj. Kosova gjithashtu këto 10 vite ka arritur disa suksese në drejtim të procesit të integrimit europian, me një afrim më të madh. Pra progresi është i pamohueshëm. Natyrisht hapësirat e këtij progresi janë qartësisht më të mëdha. Veçanërisht zhvillimet e dy tre viteve të fundit mendoj se kanë qënë të pafavorshme për Kosovën.
PYETJE: Këtu keni parasysh luftën e brendshme politike?
Luftën e egër të brendshme politike. Pavarësia është proces për tu ndërtuar. Pasi e shpall, të duhen lumenj djerse dhe suksesesh pune për ta ndërtuar. Liria është për tu ndërtuar.
PYETJE: Duket sikur liderët, të cilët kanë mandatin për ta çuar Kosovën përpara, me betejën e brendshme politike kanë stopuar vullnetin e popullsisë atje për të bërë përpara.
Nuk besoj se atë e kanë stopuar liderët. Sigurisht ata kanë përgjegjësitë e tyre por është një problem më i gjërë, problem i elitës së shoqërisë. Eshtë një problem, për fat të keq në Kosovë, i veprimit permanent të faktorit Beograd, i cili merr vetvetiu epërsi sa herë që Kosova shkon drejt një gjysëm bllokimi, dhe ndihmohet aktivisht nga Tirana sa herë që kreu i ekzekutivit të Tiranës mban qëndrime paternaliste ndaj Kosovës.
PYETJE: Si duhet të jetë raporti i Shqipërisë me Kosovën? Dy shtete vëllezër, shteti amë?
Dy shtete vëllezër me lidhje të pakufishme. Gjëja e fundit që duhet të bëjë Shqipëria është të marrë protagonizëm, të marrë paternalizëm ndaj Kosovës sepse kjo është jashtëzakonishte e dëmshme për kosovën dhe interesin kombëtar në tërësi. Kosova dhe Serbia duhet të zgjidhin problemet e tyre. Eshtë Serbia përgjegjëse, që me Mitrovicën e Veriut, me mos zbatimin e marrëveshjeve etj etj. Por ky ballafaqim duhet të jetë shtet me shtet, kryeqytet me kryeqytet.
PYETJE:kanë kaluar 10 vjet, a kishit menduar se dhjetë vjet më pas do të ishte ky niveli i marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku duket se me shumë integrohet aty ku nuk kanë dorë administratat përkatëse…?
Jam dakort që ka një ngecje të madhe. Përveç fotografisë që u bë në pallatin e kongreseve, për fat të keq nuk mund të numërohet progres tjetër. Dhe këtu, gjykoj unë, është një përgjegjësi e jashtëzakonshme. Kjo qeveri ka zero investim nga viti 2013 deri sot në drejtim të bashkëpunimit kombëtar. Cfarë mund të bënte kjo qeveri?
PYETJE: Katër zëvëndësministra i ka marrë nga Kosova..
Fasadë. Pse ça do të përfaqësojnë ata, Kosovën? E di kush e përfaqëson Kosovën? E përfaqëson projekti me hekurudhën.
PYETJE: ….atë mund ta kishim bërë kur bëmë rrugën..’
Jo s’kishim mundësi financiare…
PYETJE: ..sot është më keq me financat
Jo sot është më mirë. Të bëjnë projektin. Në atë kohë ne bëmë rrugë e projekt pothuajse njëkohësisht kurse sot katër vite s?është bërë asgjë. Ai duhet të bënte projektin. Sa bën projekti? Mund të kushtonte 10-15 mln por ama bënte projektin dhe fizibilitetin dhe jam i bindur se zbatimi i atij projekti është dhe do të gjejë financime pa asnjë vështirësi sepse ajo është hekurudha më fizibël e rajonit, nuk ka hekurudhë më fizibël. Një hekurudhë që ridimensionon portet e Shqipërisë dhe i bën ato portet më të mëdha të rajonit. Një hekurudhë, e cila i jep Kosovës frymëmarrje më të madhe në det krahas autostradës. Pra le të bëjnë projektin për të treguar vullnetin por këta shkojnë e merren me fantazira dhe faktikisht ne jemi i vetmi vend që s’përfituam asgjë përveç zyrës së rinisë që është hapur këtu nga procesi i Berlinit. Pse, na diskriminuan? Jo diskriminuam veten. Po marrim doganat psh. Ne lamë gati kuadrin, çuam grupe, studiuam praktikën slloveno-austriake dhe e lamë gati për ta instaluar. Këta mblidhen, zotohen dhe nuk e bëjnë. Pse? Tirana thotë se na pengojnë oligarkët e Kosovës. E vërteta është se Kosovës nuk i kanë dhënë mundësinë për të hapur zyrën e doganës në Durrës. Mirëpo kjo pengon krijimin e hapsirës unike tregtare shqiptare. Për hir të kësaj, absolutisht unë të njëjtat favore po pregatitesha ti jepja dhe Maqedonisë. Ne jemi vende të vogla, nëse na shohin si një treg i unifikuar atëherë thonë që është më mirë një treg 7 milionë se sa një treg 3 milionë banorë. Edi Rama ka bërë një bllokim të të gjitha iniciativave. Nuk ka një investim. Edhe rrugën e Shishtavecit, të gjithë pjesën shkëmbore e ndërtuam ne dhe lamë fondet që shkoi deri në Dragash, që në akt sdi në e kanë çuar apo jo në Dragash.
PYETJE: Ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ju keni premtuar që porti i Shëngjinit do të jetë porti i Kosovës.
E kam premtuar por studime të mëvonshme kanë treguar se interesi Kosovës nuk është Porti i Shëngjinit por është Durrësi. Porti i Shëngjinit ka një ngushticë, bëhet edhe ai i madh por do investime shumë të mëdha ndërkohë që Durrësi është pothuajse i gatshëm. Dhe Durrësi, për shkak edhe të Porto Romanos, që ai mund të bëhet ndofta porti energjitik ndër më të mëdhenjtë në rajon, është leverdia më kryesore.
PYETJE: Për të shpallur pavarësinë e Kosovës, asaj iu desh nën presionin e ndërkombëtarëve të shënjonte kufirin me Maqedoninë. Për të marrë liberalizimin e vizave ka si kusht shënjimin e kufirit me Malin e Zi. Në raport me Serbinë shikoni ndonjë cedim tjetër që duhet të bëj Kosova në mënyrë që të progresoj drejt anëtarësimit?
I vetmi qëndrim që duhet të mbajë Kosova ndaj Serbisë është që nuk duhet të pranojë asnjë metër katror lëvizje të kufinjve. Asnjë lloj pazari në kufi me Serbinë nuk duhet të bëj. Disa njerëz tregohen pak naivë kur thonë që janë vetëm tre komuna. Nuk janë tre komuna po është sherri. Serbia do me çdo kusht të mbajë sherrin me Kosovën për prespektivën e saj. Serbia duhet të njohë kufirin ndërkombëtar të Kosovës të cilin e ka shpallur komuniteti ndërkombëtar, e kanë njohur 120 vende dhe kjo është rruga. Po të jetë puna për territore, Pazari i Ri ka qënë shqiptar në tërësinë e tij, por duhet ti lëmë këto tani. Tani duhet të merremi me kufinjtë ekzistues dhe të respektojmë njëri tjetrin.
PYETJE: Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në një farë mënyre në rajon u bënë dy shetet shqiptare. A mund të quhet në një farë mënyre e rehatuar çështja e shqiptarëve në Ballkan?
Dy shtete shqiptare, por ky nuk ishte vullneti i shqiptarëve. Ideali i bashkimit të shqiptarëve është i përjetshëm. Kjo nuk mund të ketë mëdyshje për sa kohë shqiptarët i thonë vetes shqiptarë. Por, duke thënë këtë, nëse një zgjidhje maksimale nuk u arrit, mund të themi se u arrit një zgjidhje optimale e shkëlqyer. Kjo zgjidhje optimale, e dakortësuar me ata që luajtën rol përcaktues në këto procese, obligon shqiptarët ti qëndrojnë besnikërisht ligjit ndërkombëtar. Do thoni ju çdo bëhet me bashkimin kombëtar. Bashkimi kombëtar duhet të imagjinohet vetëm si bashkim i dy vendeve sovrane, të lira, në dakortësi të plotë me partnerët që luajtën rol përcaktues, dhe natyrisht në një situatë ku fqinjët tanë albanofobë deri në palcë në qarqet e tyre, do çlirohen nga frika e shqiptarëve dhe do kuptojnë që një shtet shqiptar i bashkuar i trevave shqiptare nuk është një kërcënim për ta por është një shtet mik e bashkëpunues, paqeje dhe stabiliteti. Duke thënë këto them dhe që nuk është një proces i thjeshtë dhe nuk mund të merret si një proces i lehtë. Ndaj duhet të ndjekim ndërtimin e lirisë, ndërtimin e demokracisë, ndërtimin e standarteve, proceseve integruese. Pra unë e parashikoj një proces të gjatë.
PYETJE: Që do të thotë që duhet të bëhen dy shtete të forta dhe pastaj të …
Dy shtete të forta e sovrane dhe pastaj të …
PYETJE: Mantra e diplomacisë shqiptare dhe në kohën e dy mandateve qeverisëse nga 2005 ka qënë që shqiptarët do ti bashkohen Brukselit. Me strategjinë e re të shpallur nga BE duket sikur shqiptarët po shkojnë me shpejtësi të ndryshme drejt Brukselit duke patur parasysh që në radhën e parë është Serbia dhe Mali i Zi, në radhën e dytë është Shqipëria, Maqedonia dhe pastaj Kosova. Dmth a i bashkon shqiptarët proçesi i zgjerimit?
Në fakt, aq sa i bashkon Brukseli shqiptarët mund ta realizojnë, po të kenë vullnetin e tyre, për një kohë shumë të shkurtër. Asgjë si pengon shqiptarët të njësojnë çdo ligj në të dy vendet.
PYETJE: Pse nuk është bërë kjo?
Asgjë si pengon shqiptarët të aplikojnë dyshtetësitë në të dy vendet. Asgjë nuk i pengon shqiptarët të aplikojnë standartin e BE në sistemin doganor. Asgjë nuk i pengon shqiptarët të njësojnë të gjithë sistemin e kurikulave në arsim etj. Pra, në këtë kontekst shqiptarët nuk duhet të shohin ëndrra në diell, duhet të punojnë për integrimin e tyre njëri me tjetrin duke ruajtur kufinjtë dhe institucionet si dy shtete të pavarura.
PYETJE: Dëshironi të ndani ndonjë moment memorie apo kujtese nga 17 shkurti i vitit 2008. Ka qënë data që u shpall pavarësia e Kosovës por ka qënë një proces i tërë i paraprirë që bëri të mundur që të mbërrihej në këtë pikë
Momenti që dua të ndalem ishte vizita e presidentit Bush dhe takimi me të në zyrën time, në të cilën ai, në prani të delegacionit tonë dhe delagacionit të tyre më kërkon ti thoja cilat ishin mendimet e mia mbi Kosovën dhe rajonin.
PYETJE: Më falni t’ju ndërpresë. Edhe gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me babain e Xhorxh Bush e njëjta bisedë është bërë në mos gaboj në lidhje me dinamikën e rajonit.
Gjatë takimit me babain e Xhorxh Bush biseda është filluar jo me Shqipërinë por me Kosovën. Ai mori një atlas ku u ul dhe pastaj më tha më fol pak tani për Kosovës dhe hapi atlasin dhe gjeti Kosovën në hartë.
PYETJE: Po me presidentin Bush gjatë takimit në Tiranë në 2007?
Bush mu drejtua haptaz duke më thënë si mendon, kur mendon ti për pavarësinë e Kosovës. Unë i thashë se vetëm pavarësia është zgjidhja dhe ja shpjegova. Pastaj mu kthye dhe më tha: kur thua ti’ Kur më tha kur thua ti, ç’është e vërteta anëtarët e delegacionit të tij u shtangën dhe po më shihnin….
PYETJE: …lidhur me problemin me Rusinë?
Jo me Rusinë e kishin zgjidhur ata. I kishte thënë në Berlin “Vladimir, Kosova do bëhet e pavarur, e kuptoj që ti sdo por Kosova do bëhet.” Por ai më pyet dhe më thotë kur. Ata menduan se unë do i thoja pas dy javësh dhe ra një heshtje e madhe. Unë i them: Zoti president, meqë ju e keni ndarë mëndjen unë u them që të merrni gjithë kohën që ju duhet për të arritur në një ujdi sa më të madhe të mundshme me partnerët sepse pjesën tjetër, pra udhëheqjen e Kosovës ata me këtë do jenë jashtëzakonisht mirënjohës kur t’i informojë, dhe ai më tha do ti informosh sa më shpejt. Ai e tha pastaj dhe në konferencë shtypi.
PYETJE: Të nesërmen keni shkuar në Kukës..
Po shkova në Kukës dhe ja u përcolla gjithë bisedën. Para kësaj, pati një lëkundje shumë të madhe, përveç Britanisë së Madhe, të fuqive të tjera europiane. Në mënyrë që edhe sot nuk kam arritur të gjej të të vërtetën. Por nëse në fundin e vitit 2004 e fillim 2005 kishte arritur një ujdi për pavarësi, dhe unë në opozitë por ama përfaqësues ndër më të rëndësishmit më kishin thënë që është e drejtë pavarësia dhe ne do të qëndrojmë, pastaj pati ndryshim shumë të madh përveç Britanisë së Madhe. A ishte kjo një influencë e fuqive Ruse, a ishte kjo një influencë e fuqishme e këtyre vendeve të BE që nuk kanë njohur Kosovën, nuk e kam marrë vesh qarte por pati një rënie dhe filluan neve në pushtet në 2005, të na thonë që nuk ka pavarësi. Dhe ne thonim fjalët tona që ska zgjidhje pa pavarësi. Britanikët qëndruan. Pastaj Frank Uisner, një diplomat i jashtëzakonshëm, që shqiptarët i mbeten atij mirënjohës përjetë përsa i përket pavarësisë dhe në fakt ai nuk u lëkund kurrë nga ideja e pavarësisë. Ahtisari kishte botuar projektin. Projekti Ahtisarit ishte pranuar nga këta që tani po lekundeshin shumë.
PYETJE: Si e shikoni Shqipërinë dhe Kosovën në 10 vitet e ardhshme, pra në 2018?
Në 2028 Shqipërinë dhe Kosovën i shoh shumë më të bashkuara se tani, kam besim që hekurudha do bëhet, kam besim që doganat do të hiqen. Kosva tani ka ekonominëmë vibrante në rajon, ka rritjen më të madhe ekonomike në rajon. shqiptarët do çlirohen nga kjo qeveri e cila është një lloj problemi shumë i madh qoftë në marrëdhënie me Kosovën qoftë në problemet e brendshme të zhvillimit. Kështuqë unë i shoh të shkëlqyera marrëdhëniet pas 10 vitesh.