
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, do të qëndrojë sot për një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës.
Me këtë rast, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të ndërmarrë masa për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë gjithë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shqiptar në vend.
Për të siguruar lëvizje të lirë dhe të sigurt të eskortës presidenciale, sipas itinerarit të planifikuar dhe agjendës së vizitës, Policia do të bëjë ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore, ku parashikohet të kalojë delegacioni.
“Këto ndërprerje do të jenë të shkurtra dhe mund të përfshijnë edhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative”:, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia e Kosovës u bën thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik për mirëkuptim dhe bashkëpunim, duke theksuar se këto masa janë të nevojshme për mbarëvajtjen e vizitës zyrtare.