![Bedri Hamza: Ju jap fjalën, Kosova do të jetë më mirë nga 10 shkurti](https://gazetaprojekti.com/wp-content/uploads/2025/02/IMG_0216.png)
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubimin përmbyllës në Prishtinë.
Kandidati për kryeministër, Bedri Hamza ka thënë se fushata e tij ishte e orientuar kah e ardhmja, me bindjen e thellë se Kosova mundet ma mirë.
“Dhe unë Bedri Hamza, kryeministër i ardhshëm i juaji, bashkëshort dhe baba i tre fëmijëve, po ju jap fjalën sonte, sepse ju e dini që unë e mbaj fjalën: Kosova mundet ma mirë dhe Kosova do të jetë ma mirë nga 10 shkurti e tutje. Jo ma mirë, po shumë ma mirë!”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë se fushata e tij dhe qeverisja e tij i dedikohen të gjithë njerëzve të Kosovës.
“I dedikohet grave dhe burrave bujarë, punëtorë. I dedikohet qytetarëve që duan bashkëpunim e shpresë dhe jo përçarje e frikësim. Ju e meritoni, ju keni kërkuar me ngulm që të jemi bashkë, që të mendojmë kah e ardhmja dhe ajo e ardhme është e të gjithë qytetarëve, pa dallim moshe, pa dallim vendlindjeje, pa dallime mes nesh”, ka thënë Hamza.
Pas 9 shkurtit, Bedri Hamza ka thënë se qeveria e tij do të nis punën menjëherë për t’iu shërbyer qytetarëve.
“Do t’i rris pagat 50%, pensionet bazike 70% dhe do t’i rris investimet publike dhe private. Do të fillojmë ndërtimin e gazpërçuesit dhe termocentralit me gaz. Të përmirësojmë arsimin dhe shëndetësinë. T’i ndreqim marrëdheniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e Bashkimit Evropian. Të lidhim miqësi të reja në krejt kontinentet, me diplomaci të urtë. Dhe kjo është besëlidhja ime me çdo qytetar të Kosovës, çdo votues dhe me çdokënd që e do një Kosovë ma të mirë”, ka thënë Hamza.