
Barcelona po vazhdon të jetë në formë shumë të mirë, teksa në ndeshjen e javës së 26-të në La Liga, e ka mposhtur Athletic Bilbao-n me rezultat 4:0.
Pjesa e parë, ashtu sikurse edhe tërë takimi u dominua nga Barça, të cilët arritën të shënojnë në minutën e 37-të me anë të Pierre-Emerick Aubameyang.
Edhe 45 minutat e dytë nuk treguan shenja ngadalësimi nga katalanasit, që ia dolën të shënonin edhe tre herë tjera.
Në fakt, në të tre golat e pjesës së dytë, ishte i përfshirë Ousmane Dembele, i cili u inkuadrua në lojë në minutën e 67-të, ku shënoi një gol dhe dhuroi dy asistime.
Frenkie de Jong u përkujdes që të asistonte për Dembele-n në minutën e 73-të, që realizoi një gol shumë të bukur për 2:0.
Më pas, francezi ia doli të asistonte për Luuk de Jong në minutën e 90-të për 3:0.
Derisa në minutën e fundit të kohës shtesë, Dembele dhuroi asistimin e dytë në ndeshje, këtë radhë për Memphis Depay, i cili vulosi rezultatin përfundimtar 4:0.
Pas javës së 26-të, Barcelona gjendet në vendin e katërt me 45 pikë, ndërsa në xhiron e 27-të do të kenë punë me Elchen.