Banorët e zonës “Qendra” gjegjësisht të rrugës “Rexhep Luci” në Prishtinë kanë shprehur pakënaqësitë e tyre lidhur me zhurmën e krijuar nga disa kafiteri në këtë lagje.
Violeta Hasani, kryetare e bashkësisë lokale për siguri publike, thotë se qytetarët nuk po mund të bëjnë jetë normale. Sipas saj prapa këtyre kafiterive qëndron “dikush i fortë”. Megjithatë lavdëron policinë e cila iu përgjigjet çdoherë thirrjeve të tyre.
“E kam apelua drejtoreshën e shërbimeve publike Medina Brahën që mos me u lejua oborri kolektiv me shndërrua në biznes kafiterik. Muzika e gjallë nuk po ndalet sidomos prej dy kafiterive ‘Journal’ dhe ‘Lulu Bar’ sepse te ‘Lulu Bar’ jetoj edhe vet në katin e tretë. Policia janë duke e bërë punën e tyre shumë mirë sepse pa ardh policia nuk ka shans me fjet banorët. Unë mendoj që këtu dikush i fortë po qëndron mbrapa këtyre dhe kishte me qenë mirë të kujt janë këto banesa dhe kush i ka lëshua këto me qira. Qytetari nuk ka mundësi me fjet pa kontaktuar policinë”, thotë ai.
Hasani akuzon kryetarin Shpend Ahmeti i cili sipas saj nuk ka shprehur vullnetin të takojë përfaqësuesit e banorëve të kësaj lagjeje për t’i dëgjuar hallet e tyre.
“Mbrëmë i kam dëgjuar edhe disa zëra të ndërkombëtarëve po nuk e di ata a po vinë me kontrollua gjendjen apo çka. I adresojmë në policinë, policia vinë dhe ata nuk ngurojnë t’i përgjigjen thirrjeve të qytetarëve. Kam kërkuar me kryetarin e komunës së Prishtinës Shpend Ahmetin me u takua po asnjëherë nuk më ka kthyer përgjigje, ndërsa nënkryetarët kanë pranuar dhe Selim Pacaolli ka thënë që prej shtatorit kemi me filluar po tash edhe atë dikush e ka pengu” thotë Hasani, raporton EO.
Sipas saj ky problem po del të jetë vetëm në Prishtinë sepse sipas saj në të gjitha qytetet e tjera është zgjidhur. Banorja, Shqipe Shkodra thotë se është e pamundur të jetohet këtu. Madje ajo thotë se në natën e fundit të vitit të ri është dridh banesa nga zhurma e madhe.
“Aty është e pamundshme me jetua jetën normale sepse edhe unë nuk jam duke lyp diçka ekstra sepse edhe unë e di që jam duke jetuar në qendër. Po ata nuk po i respektojnë rregullat dhe ne po duhet me bë gjithçka. Është dridh banesa prej tyre dhe nuk kemi pas mundësi me përcjell asgjë”, thotë ajo.
Ndërsa për qytetaren Mazllume Hashimi po del të jetë problem edhe parkingu për të cilin në mesnatë po bëhet zhurmë shumë e madhe.
“Në ora 3 të mëngjesit po vinë me i marr makinat dhe ne nuk po mundemi me fjet dhe askush nuk po e merr përgjegjësinë. Jemi ankuar të komuna po ata asnjëherë nuk janë përgjigjur e vetmja që po na del në ndihmë është policia e cila gjithmonë vjen sa herë e thërrasim”, thotë ajo.
Por pronarët e kafiterive po i mohojnë këto akuza të banorëve, duke thënë se ata asnjëherë nuk e kanë shkelur orarin e punës të cilin e kanë të caktuar.
Njëri nga pronarët e kafiterisë “Journal”, Naim Ramizi thotë se banorët i kanë kërkuar para që ata të mos ankohen dhe i kanë ofruar banesën me qira për zgjerim me një çmim prej 2000 euro. Ankesat e këtyre banorëve po i quan tendencioze.
“Ankesa për lokalin tonë nuk ka qe një kohë të gjatë dhe ne në ora 23:00 përfundojmë me muzikë ne ditëve që është e lejuar në vikend ndërsa në ora 24:00 ne përfundojmë punën. Dëshmi për këtë është raporti i policisë që nuk kemi marr asnjë gjobë dhe ka një kohë që 1 vit që nuk kemi marr asnjë gjobë. Ankesat që vinë për këtë lokal janë tendencioze dhe ka banorë në këtë ndërtesë që na kanë ofruar para për mos mu ankua dhe me kanë ofruar banesën me qira prej një çmim prej 2000 eurove dhe këta po vazhdojnë mu ankua pa bazë sepse kanë ardh shumë herë policia dhe nuk ka pas parregullsi”, thotë ai.
Ramizi shpjegon se ditëve të vikendit kanë leje që të punojnë deri në ora 23:00 dhe se çdo herë e respektojnë këtë orar.
“Leja në ditëve të vikendit është deri në ora 23:00 ndërsa ditëve tjera deri në ora 22:00. Kemi pas me 1 janar muzikë të gjallë, po ajo është ndalë në ora 22:30 dhe prej asaj ore nuk ka pas asnjë zhurmë”, thotë Ramizi”, thotë ai.
Kjo nuk është hera e parë që banorët e kësaj lagjeje ankohen për zhurmë. Madje për këtë qëllim muaj më parë ishte mbajtur edhe një protestë. Por si duket nga atëherë nuk është ndërmarr asgjë në favor të tyre.