
Ballkani ka shkruar historinë në futbollin kosovar, teksa është kualifikuar në grupet e Ligës së Konferencës.
Skuadra nga Theranda e ka mposhtur kampionin e Maqedonisë së Veriut, Shkupin, me rezultat 1:0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa ndeshja e parë kishte përfunduar 1:2 në favor të Ballkanit.
Që në minutën e dytë, ekipi shqiptar nga Maqedonia e Veriut mbeti me një futbollist më pak në fushë pas daljes me të kuq të Xhelil Abdulla, duke ia bërë më të lehtë fitoren Ballkanit.
Pjesë e parë përfundoi me porta të paprekura, përkundër që ekipi kosovar pati disa raste shumë të mira.
Edhe pjesa e dytë foli e tëra në favor të Ballkanit, të cilët e gjetën golin e epërsisë në minutën e 69-të.
Albin Rrahmani pasoi një top te Meriton Korenica, e ky i fundit e pati të lehtë ta shtynte topin në rrjetë, për t’i ngritur në këmbë të gjithë tifozët në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Në vazhdim të lojës, ekipi i Ilir Dajës mund të kishte shënuar ende gola, por ata ishin të pafat në disa raste.
Kështu Ballkani kualifikohet në grupet e garës së tretë për klube nga UEFA, duke shkruar historinë në futbollin kosovar.