Ballkani kampion i Kosovës në futboll për sezonin 2021/22
Ballkani nga Suhareka është shpallur kampion i Kosovës për sezonin 2021/22.
Ndeshja e zhvilluar mes Dritës dhe Gjilanit është mbyllur pa gola, duke bërë që matematikisht Ballkani të shpallet kampion i Kosovës në futboll.
Suharekasit kanë 70 pikë, 11 më shumë se Gjilani që është i dyti, duke bërë që e ndeshjet e mbetura të mos mund ta zënë me pikë.
Kjo është hera e parë që Ballkani shpallet kampion në histori të futbollit të Kosovës.
Klubi që udhëhiqet nga presidenti Arsim Kabashi-Cima, kishte për trajner Ilir Dajën në stinorin pranveror, pasi në vjeshtë ishte Bekim Isufi.
Klubi kishte mbledhur afër vetës disa nga yjet e futbollit vendor, si Blend Baftiu, Armend Thaqi, Rustem Hoxha, Arbër Potoku, Bajram Jashanica, Meriton Korenica, Kushtrim Gashi, Ermal Krasniqi, Nazmi Gripshi dhe Mevlan Zeka.
Gara për vendin e dytë mbetet e hapur, mes Gjilanit, Dritës dhe Llapit.
Pas këtij triumfi ka ardhë edhe reagimi i presidentit të klubit, Arsim Kabashi i cili përmes një shkrimi ka falënderuar të gjithë përkrahësit e klubit.
Lajmi i plotë pa ndërhyrje:
Te dashur qytetarë të Suharekës!
Të dashur tifozë të FC “BALLKANI”!
Iu drejtohemi me sloganin që më se miri i pasqyron ndjenjat për vendin tonë:
“ E KU KA MË MIRË SE NË VENDLINDJE…”!
Pa modesti e themi se si klub kemi bërë të pamundurën që t’ua shpërblejmë përkrahjen qytetarëve të komunës sonë dhe vet Komunës së Suharekës.
Këtë e kemi obligim moral për shkak se për klubin tonë që nga themelimi e deri më tani shumë gjenerata e breza me radhë kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm brenda mundësive e të cilat në shumë raste ishin shumë të vështira, sidomos gjatë periudhës së okupimit.
Më këtë rast falenderojmë të gjithë njerëzit vullnet mirë dhe afarist të cilët ndër vite dhe dekada e kanë mbajtur klubin që emri i tij të mos shuhet asnjëherë.
Në veçanti ndihemi falenderues dhe te priveligjuar pasi që neve familjes Kabashi na është dhënë mundësia ta menaxhojmë klubin, më çka është hapur një kapitull i ri, i cili rezultoi me sukses kulminant: hyrjen në eliten e futbollit kosovar dhe tani shpalljen kampion në republikën e Kosovës për herë të parë pas 75 viteve të themelimit, dhe pjesëmarrjen në gara të UEFA Champions League.
Rrugëtimi deri në shpalljen kampion ishte i vështirë, duke na dhuruar shumë emocione të forta, ndonjëherë edhe zhgënjime të cilat janë pjesë përbërëse jo vetëm të futbollit por edhe të jetës në përgjithësi.
Tri vitet e fundit kishin shumë ngjarje dhe dinamikë ku ne arrinim deri ne finale të kupës, por nuk e fitonim. Gjithashtu, kur arrinim deri tek kreu i tabelës ndërsa titulli na ikte nga duart. Megjithatë, të gjitha këto përpjekje e nganjëherë edhe zhgënjime asnjëherë nuk na kanë bërë që ne të dorëzohemi. Përkundrazi, ne ktheheshim edhe më të fortë dhe ja ku jemi tani duke përmbushur ëndrrat e shumë tifozëve tanë që nga themelimi i klubit në vitin e largët 1947.
Iu themi me shpirt gjithsecilit: Faleminderit që na keni besuar, përkrahur dhe duruar edhe atëherë kur nuk kemi përformuar sipas dëshirave tuaja dhe të klubit tonë! Tani kur klubi është në mesin e kampionëve të kontinetit të vjetër, të rangut më elitar të garave për klube, ju lutemi dhe ju ftojmë që të vazhdoni me përkrahje edhe në arenën ndërkombëtare, duke qenë prezent kudo që do të luajmë në Europë. Me këtë rast do të shfaqim së bashku kulturë sportive dhe pasionin tonë për lojën magjike të futbollit.
Faleminderit të gjjthë rivalëve tanë nga Superliga, FFK-së, komunës tonë të dashur, Policisë së Kosovës, Shërbimit Shëndetësor, futbollistëve, tifozëve, stafit teknik dhe stafit mbështetës.
Falenderim i veqant per familjen time që më kan mbështetur në format më të mira të mundshme .
Na priftë e mbara në nivelin tjeter, në UCL.
Tani ka filluar ora për klubin tonë🙏
Me respekt!
Arsim Kabashi
President FC Ballkani