David Hooper, avokat i Hashim Thaçit, me anë të një parashtrese prej 28 faqesh, ka kërkuar lirimin e përkohshëm të ish-presidentit. Parashtresa tanimë është dërguar tek gjyqtari i procedurës paraprake, dhe në të janë të renditur argumentet se pse Thaçi duhet të lirohet, dhe njëherit kundërargumentet ndaj pretendimeve të Prokurorisë së Specializuar të paraqitura në parashtrimet tjera si dhe në versionin e redaktuar të urdhër-arrestit.
Para rreth katër ditësh, në adresën e gjyqtarit të Procedurës Paraprake, Nicolas Guillou, kanë arritur 28 faqe argumente nga avokati mbrojtës i ish-presidentit Thaçi, David Hooper, përmes së cilave kërkohet lirimi i përkohshëm i klientit të tij, shkruan lajmi.net.
Hooper në adresimin e tij, i është përgjigjur të gjitha pretendimeve të Prokurorit Special, të ngritura në fletë-arrestin ndaj Thaçit si dhe në parashtresat tjera të dërguara në gjykatë. Avokati i presidentit, me këtë rast i është përgjigjur pretendimeve për intimidim e personave që mendojnë ndryshe për luftën e UÇK-së, siç ishte përmendur rasti i Shkelzen Gashit, ish-këshilltarit të Albin Kurtit në kohën sa ky i fundit ishte kryeministër.
Hooper, në përgjigjen e tij ka thënë se materiali i Prokurorisë me numër 36, nuk e përfshin asgjë Thaçin me rastin e Shkëlzen Gashit dhe situatën e shkaktuar pas deklaratës së tij.
Madje, Hooper ka thënë se deklaratat e Gashit kanë provokuar elementet radikale brenda Vetëvendosjes, e të cilat e detyruan kreun e VV-së, Albin Kurti që ta shkarkonte atë.
“Parashtrimet e ZPS-së vazhdimisht dështojnë të pasqyrojnë realitetin e dinamikës politike në Kosovë. Përveç injorimit të mbështetjes së Z. Thaçi për KSC, SPO merr incidentin e Gashit si një shembull që “pasqyron një klimë të pandjeshmërisë dhe frikësimit. Në fakt, deklaratat e Gashit provokuan elementet radikale brenda partisë Vetëvendosje të cilat e detyruan kreun e asaj partie të pushonte nga puna Gashin, këshilltarin e tij. Duhet të theksohet se partia kishte marrë një qëndrim të fortë kundër KSC, dhe për këtë çështje EULEX dhe UNMIK, në kontrast të dukshëm me atë të z. Thaçi. Në asnjë mënyrë ky incident nuk mund të karakterizohet si një përpjekje e Z. Thaçi për të frikësuar ose vepruar pa u ndëshkuar ndaj KSC. Përkundrazi, kjo demonstron natyrën e opozitës brenda Kosovës për mbështetjen e tij për KSC”, ka thënë në parashtresat e tij avokati i Thaçit, David Hooper.
Për më tepër, Hooper i ka futur si referim transkriptet e seancës së Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 3 gusht të vitit 2015, dhe në përshkrimin e të njëjtave, ka theksuar faktin se mbështetja e Thaçit për Gjykatën Speciale, është karakterizuar si “servilizëm ndaj ndërkombëtarëve” nga Albin Kurti.
“Gjatë kësaj sesioni, mbështetja e z. Thaçi për krijimin e KSC dhe SPO u karakterizua si “servilizëm ndaj bashkësisë ndërkombëtare”, nga kreu i opozitës së atëhershme, Albin Kurti, udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje”, ka thënë tutje Hooper në parashtresat e tij.
Hooper në argumentet e tij i është përgjigjur edhe më tutje pretendimeve të Prokurorisë së Specializuar, të cilat ndërlidhen me dëshmitarët e mundshëm, emërimet politike dhe çështje të tjera.
Ndër të tjera, Hooper përmend edhe faktin që asnjë akuzë e paraqitur në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty, nuk është inkorporuar në aktakuzën ndaj ish-presidentit dhe të tjerëve.
Në një situatë të tillë, Hooper ka thënë se të gjitha përpjekjet e Thaçit kanë shkuar në drejtimin e asaj që të demantohen këto akuza ndaj UÇK-së, gjë që sipas tij ka ndodhur.