Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti foli për bisedimet mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për një koalicion të mundshëm për të krijuar Qeverinë e re.
Hoti tha se në fund të dhjetorit besimi me VV-në është lëkundur shumë, pas propozimit dhe zgjedhjes së Glauk Konjufcës nga VV-ja për postin e kryeparlamentari.
“Në fund të dhjetorit besimi është lëkundur tepër shumë, veprimi i njëanshëm më 26 dhjetor, krejt ato biseda i ka kthy në pikën 0. Propozimi i tyre në séance plenare i kandidatit për kryetar të Kuvendit dhe zgjedhja e tij, për neve normalisht është kuptuar që këta dëshirojnë të shkojnë përpara pa neve. Nëse këta dëshirojnë me shku përpara pa neve, për ne ka qenë e kuptueshme që jemi në opozitë. Ne duke qenë në opozitë, skemi asnjë arsye ta bllokojmë konstituimin e Kuvendit, duke qenë se e drejta kushtetuese thotë se i takon partisë që ka dalë e para për ta propozu kandidatin për kryetar të Kuvendit.”, deklaroi Hoti.
Më tej ai shpjegoi se pas 26 dhjetorit, VV-ja ka dhënë sinjale për arritjen e një marrëveshjeje.
“Ne jemi kthy prapa, i kemi analizuar në strukturat tona, kemi thënë se pavarësisht këtij akti, nëse këta kanë vullnet me punu me neve, ne jemi këtu. Ne prapë shprehim gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje dhe kemi bërë kompromise të njëpasnjëshme deri tek kjo e fundit, kur na u desh me letër të shkruar ta dërgojmë në VV, meqë ndryshoj praktika e tyre në komunikimin publik me LDK-në përmes videomesazheve, të cilat i kam quajtur dhe vazhdojë t’i quajë pamflete. Të papërshatshme për vitin 2020 dhe jo adekuate për askënd në skenën politike, e aq më pak për ata me të cilët dëshiron të arrish marrëveshje”, deklaroi ai.
Më 26 dhjetor, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje u zgjodh kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ai mori 75 vota për, 29 kundër dhe 6 abstenime.
Konjufca u zgjodh pa një marrëveshje paraprake me partnerin potencial qeverisës, LDK-në.