Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka kritikuar qasjen e treguar nga ana e Qeveria së Kosovës në raport me zgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore.
Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka treguar hap pas hapi se si Qeveria e Kosovës e ka emëruar kryetarin e Bordit të Bankës Qendrore, Bashkim Nurbojën – ish-kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Pejës në vitin 2017 – në pozitën e Guvernatorit të BQK-së përkohësisht, pasi ish-guvernatorit të BQK-së i kishte mbaruar mandati.
Sipas tij zgjedhja e Zëvendësguvernatorit u bojkotua gjatë tërë vitit 2022 duke lënë kështu BQK-në pa Zëvendësguvernator – i cili në mungesë të Guvernatorit do të ushtronte detyrën e Guvernatorit.
“Procesi i zgjedhjes së Guvernatorit të Bankës Qendrore u cenua me veprime joligjore nga ana e disa anëtarëve të panelit përzgjedhës. Si rezultat, Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës nuk mundi ta përcjell listën me propozime në seancë të Kuvendit për votim. Ushtruesja e detyrës së Zëvendësguvernatorit duket se është shkarkuar këto ditë për t’i hapur rrugë Kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të marrë detyrën e Guvernatorit. Urime!”, ka shkruar Hoti.
Hoti duke shpërfaqur tendencën e Qeverisë së Kosovës “për të kapur gjithçka” kishte shkruar në një postim paraprak të tij në Facebook, se ekzekutivi ka dëmtuar procesin e zgjedhjes së Guvernatorit duke bërë shkelje ligjore në procesin e përzgjedhjes në atë mënyrë për të krijuar në situatë të jashtëzakonshme dhe për të hapur rrugën që vetë kryetari i Bordit të BQK-së mund të marrë detyrën e Guvernatorit.
“Tmerr. Dëm për ekonominë. Mesazh shumë i keq për tregun financiar dhe investitorët e jashtëm e të brendshëm”, kishte shkruar Hoti
Bashkim Nurboja vetëm dy muaj më parë ishte zgjedhur si Kryetar i Bordit të BQK-së.
Kështu të paktën kishte bërë të ditur në një njoftim BQK-ja, theksuar se Nurboja ka zëvendësuar kryetarin e deritanishëm, Flamur Marsorin, të cilit i kishte përfunduar mandati.
Ndërsa më 29 mars Bordi i Bankës Qendrore në mbledhjen e radhës kishte vendosur që kryetari i këtij bordi, Nurboja, të marrë përkohësisht postin e Guvernatorit.
Bordi në këtë komunikatë kishte theksuar se vendimi për Nurbojën ishte marrë në mungesë të Zëvendësguvernatorëve me mandat të plotë dhe “me qëllim të sigurimit të vazhdimësisë së përmbushjes së objektivave të Bankës Qendrore të Kosovës”.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.