970×90
970×90

AUV sqaron rastin me mishin e kontaminuar nga Rumania: Ngarkesa u kthye

AUV sqaron rastin me mishin e kontaminuar nga Rumania: Ngarkesa u kthye

Raportimet për praninë e salmonelës në mishin e pulës së ngrirë, të ardhur nga Rumania dhe të blerë nga një kompani përpunuese në Kosovë, i ka sqaruar Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës. Rasti kishte ndodhur vitin e kaluar, ndërsa u aktualizua në media gjatë kësaj jave. Sipas AUV-së, ngarkesa ishte paraqitur në pikën kufitare në Han të Elezit dhe, pas rezultateve laboratorike, u ndalua përpunimi dhe shitja e saj, e më pas u kthye në vendin e origjinës. Ndërkohë, pronari i kompanisë përpunuese, Burim Piraj, tha se ai mish ka qëndruar në depon e kompanisë së tij nën mbikëqyrjen e AUV-së dhe se ata nuk kanë përgjegjësi për cilësinë e mallit të importuar.

Pas raportimeve në media se një kompanie të mishit i është asgjësuar mish pule me salmonellë, Radio Kosova ka kontaktuar me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe me pronarin e kompanisë, Burim Piraj. Rasti me mishin e kontaminuar kishte ndodhur vitin e kaluar dhe, duke qenë se nuk paraqiste rrezik për qytetarët, AUV ka deklaruar se nuk ka parë të nevojshme ta bëjë publik.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka kthyer një ngarkesë mishi pule të ngrirë, të importuar nga Rumania, pasi në analizat laboratorike është zbuluar prania e bakterit Salmonella spp.

“Ngarkesa ishte paraqitur në pikën kufitare në Han të Elezit më 10 qershor 2024, e shoqëruar me dokumentacion të rregullt dhe e kontrolluar nga inspektorët veterinarë. Pas marrjes së mostrave dhe analizimit në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë, është konstatuar se mishi nuk ishte i sigurt për konsum. Më 21 qershor 2024, AUV ka ndaluar përpunimin dhe tregtimin e kësaj ngarkese, duke i dhënë kompanisë mundësinë që ta kthejë mallin në vendin e origjinës ose të kërkojë asgjësimin e tij. Më pas, me vendim të datës 5 gusht 2024, është përcaktuar që ngarkesa të kthehet”, thuhet në përgjigjen e AUV.

Agjencia e Ushqimit, thotë tutje se “Kompania ka kërkuar kthimin e mallrave në Rumani, dhe kjo është realizuar më 13 gusht 2024, duke respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe sanitare. Gjatë gjithë kësaj kohe, ngarkesa ka qenë në depon tonë por nën mbikëqyrjen e AUV-së dhe e bllokuar në depo frigoriferike, pa pasur kontakt me tregun”.

AUV konfirmon se konsumatorët nuk kanë qenë të rrezikuar në asnjë moment, prandaj rasti nuk është konsideruar i nevojshëm për t’u bërë publik.

Ndërkohë, pronari i kompanisë përpunuese të mishit, Burim Piraj, i tha Radio Kosovës se kompania nuk ka faj për cilësinë e produkteve të importuara. Ai theksoi se, pas analizave në pikën kufitare në Han të Elezit, është konstatuar se mishi nuk është i sigurt dhe, për pasojë, është kthyer në vendin e origjinës.

“Bëhet fjalë për një import të rregullt të lëndës së parë dhe, në bazë të analizave mikrobiologjike që janë kryer në pikën kufitare, është konstatuar se produkti në fjalë nuk i ka plotësuar standardet për konsum. Për këtë arsye, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka urdhëruar që ky produkt ose të asgjësohet, ose të kthehet në vendin e origjinës. Ne kemi kërkuar që produkti të kthehet, sepse edhe neve na ka konvenuar një zgjidhje e tillë. Kjo mund t’i ndodhë çdokujt dhe nuk është faji i importuesit”, tha Piraj.

Ndërkohë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar për ruajtjen e shëndetit publik. Ditë më parë, ajo ka bërë thirrje edhe për kujdes ndaj sëmundjes së dhenve, duke marrë parasysh shpërthimin e sëmundjes PPR (Mortaja e Dhenve dhe Dhive) në disa zona të Shqipërisë. AUV ka kërkuar kujdes të shtuar nga fermerët në zonat kufitare të Kosovës.

Related posts