
Astrit Haraqija ka pranuar se Bashkim Osmani, i arrestuar të mërkurën nga EUROPOL-i nën dyshimin për trafikim droge, ka shërbyer si këshilltar i tij.
Ish-ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ka thënë të premten për Paparacin se Osmani dhe vëllezërit e tij, të cilët janë përmendur në mediat evropiane si pjesë e rrjetit të goditur nga EUORPOL-i, janë të pafajshëm.
Ish-funksionari i lartë i LDK-së ka thënë se me vëllezërit Osmani njihet familjarisht prej rreth 40 vitesh.
“Për Bashkimin [Osmanin] kam dëgjuar para dy ditëve që është në mbajtje me kërkesë të shtetit spanjoll”, ka thënë Haraqija në një deklarim për Paparacin, derisa ka mbrojtur atë dhe vëllezërit e tij. “Krejt filma janë! Unë me aq sa i njoh familjarisht qe 40 vite, shansa s’ka që ata kanë punuar ose punojnë me atë punë siç po shkruajnë mediat”.
Haraqija ka thënë se dikujt i pengon suksesi i vëllezërve Osmani.
“Suksesi i tyre në biznes iu pengon se prapë se prapë të huaj janë”, ka thënë Haraqija.
Një raportim i gazetës kroate, Nacional.hr, për Bashkim Osmanin, vëllain e Qazim Osmanit, e përshkruan atë si një biznesmen që ka krijuar shumë njohje dhe e ka zgjeruar ndikimin në politikë.
Sipas tyre, Bashkim Osmani për një kohë ka shërbyer si këshilltar i Ministrit të Kulturës dhe Sportit të Kosovës. Por, në raportimin e gazetës kroate nuk përmenden emra ministrash.
Megjithatë, Haraqija ka konfirmuar se është këshilluar nga Bashkim Osmani.
“Po e vërtet ka qenë. Unë, edhe sot i falënderohem për gjithë ato porta që ai i ka hapur në Këshillin e Sigurisë ose OKB-në, në Uashington, organizata sportive në Evropë”, pohoi ish-ministri.
Një operacion i Rrjetit të Policisë Evropiane (EUROPOL), të mërkurën ka vënë në pranga Bashkim Osmanin, vëllain e Qazimit.
Siç raportoi gazeta kroate Jutarnji List, Osmani u kap në Kroaci.
Mediat belge ishin të parat që raportuan për operacionin ku morën pjesë 600 policë dhe që u shtri në 7 vende evropiane, të organizuar nga Europol. Në shënjestër ishte një organizatë e trafikut të kokainës, në të cilën ishin të përfshirë edhe shqiptarët.
Qazim Osmani, i cili drejton një rrjet të kazinove në Evropë, bashkë me vëllezërit e tij, Bashkimin, Burimin dhe Bekimin, prej vitesh jetojnë në Gjermani. Atje kanë pasur probleme me drejtësinë për pasurinë, por bizneset i shtrijnë edhe në Spanjë, Belgjikë, Holandë dhe vende të tjera europiane.
Në mediat evropiane, vëllezërit Osmani po përmenden si një klan i rëndësishëm, që sillnin kokainë nga Amerika Latine, për ta shpërndarë nëpër Evropë.